Ilustrim

Zbatohet vendimi, kamerat e sigurisë së Komunës së Graçanicës kalojnë në duart e policisë

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka njoftuar se sistemi i kamerave të sigurisë në Komunën e Graçanicës ka kaluar në duar të Policisë së Kosovës.
Komuna e Graçanicës e ka zbatuar vendimin që ishte marrë nga agjencia më 20 prill, lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësirat publike.
“Komuna e Graçanicës ka zbatuar rekomandimet e AIP-së dhe ka njoftuar se i tërë ky sistem iu është bartur Policisë së Kosovës, respektivisht Stacionit Policor në Graçanicë, me qëllim të rritjes së sigurisë publike. I gjithë procesi i bartjes së këtij sistemi është bërë në prani të zyrtarëve të AIP-së”, thuhet në njoftim.
Agjencia për Informim dhe Privatësi është në pritje edhe të zbatimit të vendimeve tjera të nxjerra për komunat të cilat tashmë ka inspektuar, si dhe është duke vazhduar inspektimin edhe në komunat tjera me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.