Foto: Atdhe Mulla
Mosbashkëpunimi ndërkomunal rrezikon mbylljen e shkollës në Graçanicë
Shkolla fillore në fshatin Radevë të Graçanicës rrezikon të mbyllet pasi dy komunat, ajo e Lipjanit dhe e Graçanicës, nuk po pajtohen se cila duhet ta menaxhojë atë.
Para sa të ndodhte decentralizimi, fshati Radevë i takonte komunës së Lipjanit. Por, pas decentralizimit Radeva është në territorin e Graçanicës.
Në paralelen e ndarë fizike në Radevë si pjesë e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan mësojnë 8 nxënës, pesë shqiptarë ndërsa tre të tjerë të komunitetit ashkali. Në këtë shkollë zhvillojnë mësimin edhe nxënësit serbë, në programin paralel të arsimit.
Deri më tani, shkolla menaxhohej nga Komuna e Lipjanit, por në mars të këtij viti, ekzekutivi lokal vendosi që shkollën mos të vazhdojë të menaxhojë.
Me vendimin e Komunës së Lipjanit nuk janë pajtuar banorët e Radevës. Ata kërkuan nga dy komunat dhe Ministria e Arsimit që të gjendet një zgjidhje.
“Ky është gabim trashanik, është gabim i madh me mshelë shkollën këtu. Që sa vite është çel kjo shkollë shqip, etnikisht këtu ne jemi pakicë, kjo është gabim i madh. Ne nëntë vite këtu kemi mësu kur ka qenë koha më e vështira, në oda kanë mësu dhe prapë këtu është hapë shkolla, në këtë liri me na mbyllë shkollën është turp i madh” – tha Enver Vllahiu.
Ai ka shprehur një kërkesë për institucionet e vendit.
“Kërkesa jonë është që shkolla me mbetë nën menaxhimin e Komunës së Lipjanit se ne jemi degë e komunës së Lipjanit. Ministria e Arsimit i bën pagesat, sikur e paguan Komunën e Graçanicës, sikur të Lipjanit, është njëjtë, paret i marrin, paret prej xhepit të vet s’po i japin. Pse me mshelë shkollën? A shumë po ju kushton atyre në zyre a? Kanë shumë punë, mbaruan. Është marre, turp me mshelë shkollën” – tha ai për “Kallxo Përnime”.
As banorët e komunitetit ashkali që jetojnë në Radevë nuk po pajtohen me mbylljen e shkollës.
“Po kemi ni që po dojnë me mshelë shkollën dhe për atë jemi ardhë sot këtu, me mshelë këta shkollën, atëherë një fëmijë i jemi dhe tre të vëllait nuk kanë ku me mësu dhe mbesin pa shkollë. Unë kisha thënë që këtë shkollë këtu mos me mshelë, se nuk muj unë në Lipjan me i dërgu fëmijët, 10 kilometra… Ata mbesin pa mësime, pa shkollë tu pasë shkollën këtu” – tha Shpejtim Bajrami, banor i këtij komuniteti.
Në një intervistë për” Kallxo Përnime”, drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, tha se që nga viti 2017 kanë njoftuar Ministrinë e Arsimit. Sipas tij, nëse fëmijët mbesin pa mësim, nuk është faji i Komunës së Lipjanit.
“Ne i kemi njoftuar, nuk është hera e parë, është hera e fundit, qysh prej 2017-ës, Komunën e Graçanicës, Ministrinë e Arsimit dhe të gjithë njerëzit kompetentë që të marrin nën menaxhim paralelen në Radevë, respektivisht edukimin e fëmijëve të komunitetit shqiptar në atë zonë. Radeva është me komunë të Graçanicës, dhe bazuar në kushtet dhe ligjet e Kosovës, përgjegjësinë e ka komuna” – thotë ai.
“Kallxo Përnime” ka provuar që disa javë të marrë një përgjigje nga Komuna e Graçanicës, por zyrtarët e kësaj Komune nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, për rastin ka reaguar Granit Gashi, asamblist në Kuvendin Komunal të Graçanicës.
“Unë e kam një dilemë shumë të madhe, çfarë do të ndodhë, si do të ndihen, si drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit si drejtoresha e Arsimit në Komunën e Graçanicës po edhe krejt Ministria e Arsimit, si do të ndihen në shtator ata fëmijë nuk do të kenë se ku të shkojnë në shkollë. Këtë pyetje kam, pra si do të ndihen ata?” – ka thënë Gashi.
Ndërsa, nga Ministria e Arsimit thanë se po punojnë për të gjetur një zgjidhje të problemit.
Zëvendësministri i këtij dikasteri, Dukagjin Popovci, tha se fëmijët nuk do të mbesin pa mësim.
“Po, jemi në dijeni dhe në lidhje me këtë kemi zhvilluar konsultime me Komunën e Lipjanit, me Komunën e Graçanicës dhe me vetë komunitetin e fshatit Radevë dhe jemi në rrugë për të gjetur një zgjidhje. Ne mendojmë se dera e bisedës me Komunën e Lipjanit ende nuk është mbyllur plotësisht e nga ana tjetër gjithnjë ekziston mundësia që shkolla të menaxhohet nga Komuna e Graçanicës ose ata fëmijë të barten, sepse bëhet fjalë për tetë fëmijë në total, të barten në një shkollë më të afërt që ndodhet në komunën e Lipjanit” – tha ai.
Njëri nga opsionet, sipas Popovcit, është sigurimi i transportit për nxënësit në një shkollë të afërt.
Por, ai tha se ka komuna me shumicë serbe që menaxhojnë shkolla në gjuhën shqipe. Për këtë ai përmendi bashkëpunimin e Komunës së Fushë-Kosovës dhe Komunës së Graçanicës por edhe Komunën e Prishtinës me Komunën e Graçanicës.
“Fushë-Kosova menaxhon shkollën që është në fshatin Uglar, i cili me decentralizim i ka takuar Graçanicës – a është dashur t’i takojë apo nuk është dashur t’i takojë, është çështje tjetër sepse fshati ndodhet fare pranë Fushë-Kosovës. Fushë-Kosova ka vazhduar ta menaxhojë atë shkollën shqipe aty. Mirëpo edhe Komuna e Graçanicës menaxhon shkolla serbe në territorin e komunës së Lipjanit, gjithashtu, Komuna e Prishtinës menaxhon një shkollë në Graçanicë” – tha ai.
Në një përgjigje për “Kallxo Përnime”, Komuna e Prishtinës tha se menaxhon një shkollë në territorin e Graçanicës.
“Në ShFMU “Ditët e Minatorit” vijojnë procesin mësimor 172 nxënës, derisa janë rreth 30 mësimdhënës të kësaj shkolle. Procesi mësimor vijohet edhe nga nxënës të komunitetit rom (3 nxënës). Nuk ka pasur probleme të caktuara në menaxhimin e shkollës” – thuhet në përgjigjen e Komunës.
Sipas Drejtorisë së Arsimit, menaxhimi i kësaj shkolle do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, Komuna e Prishtinës nuk sheh asnjë pengesë në menaxhimin e shkollës dhe përmbushjen e të gjitha përgjegjësive dhe obligimeve që rrjedhin nga aktet normative, në mënyrë që procesi mësimor të vijon pa pasur ndonjë problem në këtë fushë” – thuhet në përgjigje.
Aktualisht nuk dihet nëse mësimi do të nisë të zhvillohet mësimi në paralelen e ndarë fizike në Radevë si pjesë e shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan. Ndërkohë, mësimi ende nuk ka filluar në të gjitha shkollat e Kosovës pasi mësimdhënësit janë në grevë.