Foto: Lumi Graçanka
Ndotja e lumit Graçanka, problem shumëvjeçar i banorëve të Graçanicës
Ndotja e lumit Graçanka me kimikatet nga fabrika e pronarit të panjohur nga vendi i afërt, Hajvalia, është bërë një problem madhor për banorët e Komunës së Graçanicës, i cili duket se nuk ka zgjidhje.
Qytetarët e Graçanicës, me të cilët biseduam, si dhe ekspertët e fushës të mbrojtjes së mjedisit konsiderojnë se edhe qytetarët e pandërgjegjshëm janë ndotës, të cilët hedhin mbeturinat skaj lumit dhe rrugëve lokale.
Përveç metaleve të rënda dhe helmeve që pas shirave të rrëmbyeshëm derdhen nga llumi në lumin Graçanka, sipas ekspertëve më eminent nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, për vite më radhë në të derdhen edhe mbetjet kimike me përbërje të panjohur nga një fabrikë po ashtu e panjohur nga vendi i afërt, Hajvalia.
Për vite më radhë në Graçankë derdhet uji me një ngjyrë të çuditshme, ndërsa me paraqitjen e temperaturave të larta skaj lumit nëpër Laplasellë dhe Preocë ndjehet një erë e pakëndshme.
Banorët e Komunës së Graçanicës: Era nga Graçanka, e padurueshme
Për shkak të bashkëpunimit të pamjaftueshëm të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Qeverisë së Kosovës, problemi vetëm po rritet. Shërbimi i inspektoratit i Komunës së Graçanicës nuk mund të bëjë kontrollim në Hajvali, e cila i takon Komunës së Prishtinës, ndërsa qytetarët më nuk e dinë ku të drejtohen.
“Në vend të zhurmës së ujit dhe freskisë nga ky “ish lum”, tash shpërndahet vetëm një erë e tmerrshme. Parcelat që shtriheshin përgjatë brigjeve të lumit dikur ishin më të mirat, tani janë të pamundura për një jetesë normale. Takimet në oborre me një filxhan kafe dhe bisedat në orët e mbrëmjes janë të pamundura për shkak të erës së pakëndshme që të zë frymën. Dikur banorët e Laplasellës dhe Preocit i ujitnin bahçet, pemishtet dhe arat nga Graçanka, gjë që sot është e paimagjinueshme. Lumi, shtrati i të cilit nuk mund të dallohet për shkak të ngjyrës së ujit, që nganjëherë është krejt i bardhë, e nganjëherë ngjyrë hiri ose kafe, në rrjedhën e saj sjell rrezik, shëmti dhe erë të pakëndshme në vend të jetës”, thotë për Graçanica Online, Dragana Karaxhiq nga Laplasella, shtëpia e së cilës gjendet në afërsi të lumit.
Ajo shton se banorët e Laplasellës dhe Preocës kanë kërkuar ndihmë në disa raste, madje kishin organizuar protesta dhe takime, por problemi i tyre nuk është zgjidhur deri në ditët e sotme.
“Disa janë mësuar, disa po mësohen e disa asnjëherë nuk do të mësohen me erërat e pakëndshme. Reshjet, që me vete sillnin rrezikun e vërshimeve, tani paraqesin katastrofë ekologjike për shkak të ujit i cili pas tërheqjes përveç lloçit pas vetës le edhe një sasi të madhe të kimikateve helmuese”, thotë Karaxhiqi me mllef.
Edhe banorët e Preocës për një kohë të gjatë ua tërheqin vëmendjen personave kompetent lidhur me lumin e ndotur.
“Me lëshimin e metaleve dhe materieve helmuese nga ana e ndotësit përgjithmonë shkatërrohet flora dhe fauna e këtij uji i cili dikur ishte i pastër dhe shërbente për pije për kafshët, larjen e rrobave, e madje edhe larje të banorëve tanë. Institucioneve kompetente ua kemi tërhequr vërejtjen lidhur me problemin e ndotjes tash e tetë vjet, por askush nuk ia ka dalë të zgjidh këtë problem deri në ditët e sotme, ndonëse banorëve të fshatrave tona u janë dhënë premtime të llojllojshme. Lumi ka ndërruar ngjyrë, tash është ngjyrë kafe të mbylltë dhe me erë të pakëndshme, gjë që tregon ndotje të madhe. Kur ndodhin vërshimet, lumi del nga shtrati dhe kështu ndot tokën. Këtu në Preocë kemi problem të madh sepse lumi vërshon edhe oborrin e çerdhes në të cilën shkojnë fëmijët tanë. Në disa raste i kemi dërguar kërkesa dhe lutje të ndryshme Komunës që të na ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi, por të gjitha tentimet ishin të pasuksesshme”, thotë i dëshpëruar Kryetari i fshatit Preocë, Aleksandër Kostiq.
Kostiq apelon tek institucione kompetente të reagojnë dhe të zgjidhin një herë e përgjithmonë problemin e ndotjes së lumit Graçanka për të parandaluar një katastrofë më të madhe ekologjike dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve që jetojnë këtu.
Një banore tjetër e Laplasellës, Jellena Mirkoviq, pyet veten nëse atyre që janë përgjegjës për mirëmbajtjen e mjedisit të shëndetshëm i pengon gjendja ekzistuese me lumin dhe era e pakëndshme e cila ndjehet edhe në fshatin e saj, si dhe në fshatin fqinj Preocën.
“Sot për shkak të disa detyrimeve personale shkova në Preocë dhe sinqerisht nuk e di si mund të jetojnë ata njerëz që jetojnë buzë lumit. Tash, me rritjen e temperaturave, kjo është e tmerrshme, ndjehet një erë e rëndë, bërlloku është hedhur gjithandej, vetëm mund të them se e gjithë kjo paraqet infektim të sigurt. Të gjithë gjoja luftojnë për mjedisin e shëndetshëm, ndërsa fëmijët tanë do të infektohen. Nuk keni ku për të dal në shëtitje me fëmijën për shkak të erës që ndjehet. E gjithë kjo duket dhe është problem disavjeçar, prandaj ju pyes nëse dhe kur do të bëjnë diçka institucionet kompetente lidhur me zgjidhjen e përhershme të problemit të ndotjes”, pyet veten Mirkoviq.
Ekspertët kërkojnë masa emergjente për të parandaluar rrezikimin e shëndetit të popullsisë
Profesori në pension i Fakultetit të Shkencave Teknike nga Mitrovica, Millan Baraq [Milan Barać] thotë se lumenjtë Graçanka, Sitnica dhe Ibri, prej nga materiet e dëmshme barten deri në tri dete, ndoten, ndër të tjera, edhe nga ekzistenca e deponive të Trepçës.
“Këtu në Graçanicë, konkretisht janë deponitë Graçanka dhe Përroi i Djemve. Nëse shkojmë tutje, në Mitrovicë janë me dhjetëra. Nga Graçanica deri në Suva ruda në Rashkë janë 17 deponi shumë të mëdha industriale në brigjet e lumenjve që mbulojnë tokë të pëlleshme bujqësore”, thotë profesori Baraq.
Kur flasim për ndotjen në Komunën e Graçanicës, profesori pohon se menjëherë duhet të ndërmerren masat për të parandaluar rrezikimin e shëndetit të njerëzve.
“Duhet të sanohen rikultivimet teknike dhe biologjike që nuk ishin kryer në mënyrë cilësore të deponive të flotacioneve në Graçankë dhe te Përroi i Djemve, rikultivimi dhe pastrimi i shtratit të lumit të Graçankës, ndërsa duhet edhe dakordimi i një përgjigje shoqërore për problemet ekologjike”; thekson Baraq. Analizat e fundit laboratorike, të kryera nga Komuna e Graçanicës, tregojnë se në lum nuk ka metale të rënda dhe materie helmuese nga deponia e minierës, por se rreziku ekziston.
Nuk ka mjete të mjaftueshme për rikultivimin e deponisë së Trepçës, kishte thënë më parë ish kryetari i komunës, Sërgjan Popoviq [Srđan Popović] për portalin tonë, por se vetëqeverisja lokale po mundohet të gjejë donatorin për këtë. Po ashtu, në shërbimin komunal të inspektoratit thonë se nuk kanë autorizim për të kontrolluar fshatin e Hajvalisë, i cili është në përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës. I gjithë bashkëpunimi i dy komunave ka përfunduar me një takim të përbashkët, kur edhe u dakordua. Ndërsa era e padurueshme dhe ndotja vazhdon të vijë nga fabrika në Hajvali, e cila merret me prodhimin e mjeteve kimike, thotë doktori i mjekësisë preventive në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicë, Aleksandër Qorac [Aleksandar Ćorac]. Qorac shton se në këtë rast në vend të përfitimit të përgjithshëm ka ngadhënjyer ai personal.
“Shpresa fillimisht duhet të jetë tek ne, neve në vetvete fillimisht duhet të gjejmë forcën të lëvizim dhe të kuptojmë se fëmijët tanë nuk do të kenë vend ku të jetojnë ose do të jetojnë në një mjedis i cili do t’i shkatërrojë nëse vazhdojmë kështu”, konkludon profesori Aleksandër Qorac.
Lidhur me këtë temë kemi kontaktuar Ministrinë për Mbrojtjen e Mjedisit në Prishtinë dhe Kompleksin Industrial Trepça në Mitrovicë, por deri te botimi i këtij teksti nuk kemi marrë përgjigje në pyetjen nëse dhe kur do të bëhet zgjidhja e përhershme e problemit të ndotjes së lumit Graçankë.