Iniciohet rast hetimor për keqpërdorimet në projektin që la 22 fshatra të Drenasit pa ujë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar organet e hetuesisë që të iniciojnë hetimet lidhur me projektin e rrjetit të ujësjellësit, i cili ka filluar së implementuari që nga viti 2010.

KALLXO.com kishte raportuar vitin e kaluar se kjo Komunë kishte vërejtur se gjatë punimeve për t’u lidhur në rrjetin e ujësjellësit i cili do të duhej të furnizonte 22 vendbanime, është vërtetuar se në disa pjesë nuk ka gypa fare, ndërsa në pjesën ku ekzistojnë gypat, janë jashtë standardeve të kërkuara dhe nuk janë funksionalë.

“Për të gjitha supozimet se gjatë realizimit të këtij projekti ndër vite, ka pasur keqpërdorime, është konstatuar me dorëzimin e raportit nga ana e Komisionit profesional, i cili ka verifikuar dhe vlerësuar gjendjen faktike nga bazenat e Feronikelit deri të bazeni i pompave në Çikatovë e Vjetër, rrjedhimisht verifikimin e komplet ujësjellësit në Kamenicë, i cili komision në bazë të raportit ka gjetur një varg shkeljesh e parregullsish në implementimin e këtij projekti. Ky raport i është dorëzuar organeve të hetuesisë”, thuhet në komunikatën e komunës së Drenasit në rrjetin social “Facebook”.

Komuna e Drenasit u ka kërkuar falje publike qytetarëve për mosrealizimin e projektit nga i cili 22 vendbanime do të kishin furnizim me ujë të pijshëm.

Sipas Komunës, ekzistojnë dyshimet se për të njëjtin projekt janë lidhur disa kontrata e të cilat nuk janë realizuar në terren.

Komuna e Drenasit ka kërkuar nga organet e hetuesisë që me prioritet të hetojnë këtë rast, në mënyrë që sa më shpejt t’i hapen rrugët e rifunksioalizmit të këtij projekti.

Gjithashtu kanë njoftuar se Komuna e Drenasit do të marrë veprimet e nevojshme administrative, sa i përket zyrtarëve të involvuar në këtë projekt e të cilët, “me apo pa dashje kanë lejuar që projekti të mos përfundoj sipas nënshkrimit të kontratës”.

Kujtojmë se fshatrat që vazhdojnë të mbesin pa ujë të pijshëm janë: Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,   Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë.

Lladrovci flet për KALLXO për ujësjellësin fantazmë në Drenas – VIDEO

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.