Ramiz Lladrovci - 12.04.2019 - FOTO KALLXO.com

Lladrovci flet për KALLXO për ujësjellësin fantazmë në Drenas - VIDEO

Projekti që do të mundësonte ujë të pijshëm për 22 fshatra të Drenasit nuk do të realizohet ashtu siç ishte premtuar.

Kjo pasi që 6 vite më parë puna e kompanisë kontraktuese për vendosjen e gypave të ujësjellësit mbeti vetëm në letër si e përfunduar.

Komuna e Drenasit e cila planifikonte që në qershor të fillonte furnizimin me ujë të pijshëm ka kuptuar se rrjeti i gypave të ujësjellësit për të cilën ishte bërë pranimi teknik ka mangësi.

Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci thotë për KALLXO.com se pasi kanë marrë informacionin zyrtar, ka njoftuar organet kompetente dhe kanë filluar procedurat hetimore.

“Projekti 2012-2014 është paguar, bile janë paguar edhe punë shtesë dhe gypat nuk janë vendos fare. Unë nuk e kuptoj pse. Më të marrë këtë informacion ne e kemi formuar një komision për të dalë për të verifikuar në disa vende për të parë nëse ka gypa, por kemi pa që nuk ka ose ka mungesë dhe menjëherë e kam njoftuar Policinë dhe po merren Krimet Ekonomike me ketë rast”, tha kryetari i Drenasit.

Lladrovci thotë së projekti për ndërtimin e gypit nga rezervuari i Feronikelit deri te rezervuari i ri në Kamenicë do të shtyhet deri në një afat të pacaktuar.

“22 fshatra kanë pritur të lidhen me ujë të pijes. Kjo do të shtyhet sepse ne nuk kemi të drejtë me vazhdu procedura për një projekt që tashmë është paguar sikur ka qenë i kryer dhe është nën hetime dhe deri të përfundojnë hetime. Unë nuk kam drejtë me zhvillu asnjë procedure”, u shpreh Lladrovci.

Fshatrat që vazhdojnë të mbesin pa ujë të pijshëm janë: Shtuticë, Vërboc, Tërstenik I dhe II, Gllobar, Baicë, Likoshan, Gllanasellë, Godanc, Dobroshec, Çikatovë e Vjetër, Krajkovë, Shtrubullovë, Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Poklek, Vasilevë,   Nekoc, Kizharekë, Nekoc, Fushticë e Ulët dhe Korroticë e Lartë.