'Infrakos' ia hedh fajin Komunës së Prishtinës për ndërtimet te Stacioni Hekurudhor

Ndërmarrja Publike për menaxhimin e infrastrukturës hekurudhore ‘Infrakos’, ia ka hedhur fajin Komunës së Prishtinës, në lidhje me ndërtimet në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës.

Në afërsi të Stacionit Hekurudhor në këtë pjesë të kryeqytetit, u përfol se po tentohet të ndërtohet një pompë e derivateve, në një hapësirë të gjelbëruar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e kësaj Ndërmarrje, Vlora Jahaj- Zenollari, ka thënë se ‘Infrakos’-i e ka një kontratë për shfrytëzim komercial të përkohshëm të hapësirë, por që çfarë aktiviteti komercial do të zhvillohet aty është kompetencë e Komunës së Prishtinës.

“Për hapësirën e apostrofuar kemi një kontratë për shfrytëzim komercial të përkohshëm të hapësirës. Ndërsa, se çfarë aktiviteti komercial do të zhvillohet varet nga kushtet ndërtimore dhe lejet për të cilat është kompetencë e komunës”, thuhet në përgjigjen e Jahaj- Zenollarit.

Sipas saj, ‘Infrakos’-i e konsideron këtë dhe kontratat tjera komerciale si jetike për të hyrat financiare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të ndërmarrjes.

“Duke pasur parasysh që të hyrat nga transporti hekurudhor që nuk është përgjegjësi e Infrakos-it nuk janë të mjaftueshme për ruajtjen e stabilitetit të ndërmarrjes. Përndryshe, çdo zvogëlim i mundësive për të hyra shtesë nga pronat ka ndikim drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit”, thuhet tutje në përgjigje.

Jahaj- Zenollari ka thënë se i mirëkuptojnë shqetësimet sa i përket hapësirave të gjelbërimit, por sipas tyre, ky rast duhet të trajtohet pa e cënuar pronën, likuiditetin dhe anën komerciale të Infrakosit.

Në pyetjet e KALLXO.com, se kush është pala që ka aplikuar për të shfrytëzuar hapësirën dhe për çfarë veprimtarie bëhet fjalë, ‘Infrakos’ nuk ka dhënë inforamta.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës ka thënë se ka filluar procedurat për rastin në fjalë. Në njoftim thuhet se përveç vendosjes së shiritit, palës i është lënë fletëthirrja për t`u paraqitur në zyrat e Drejtorisë së Inspekcionit, por sipas Komunës, askush nuk është përgjigjur.

Po ashtu, Komuna ka thënë që palës i është shqiptuar gjoba prej 1,500 eurove dhe është e obliguar ta kthejë hapësirën në gjendjen e mëparshme, pasi aty kanë filluar disa gërmime.

Ndaj këtij rasti kanë reaguar edhe Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke e quajtur legjitim veprimin e Inspekcionit komunal për ndaljen e punimeve dhe duke kërkuar që të ndërhyjë edhe niveli qendror.

“Masat që ka ndërmarrë Inspekcioni komunal janë konform kompetencave që ka dhe, për këtë, administrata komunale është e obliguar që të marr masa shtesë dhe të kërkojë nga qeveria e Kosovës që të ndërhyjë dhe të detyrojë INFRAKOSIN që të anulojë çdo lloj procedure që ka ushtruar, më herët, lidhur me atë pronë sepse, fundi i fundit, kjo ndërmarrje menaxhohet nga qeveria e Kosovës dhe, ky nivel shtetëror, duhet të ndërhyjë me urgjencë para se të papërgjegjshmit të bëjnë punën e tyre të pist”, thuhet në reagimin e LDK-së në Prishtinë.

 

Ndërtimet tek Stacioni Hekurudhor në Prishtinë, reagon grupi i këshilltarëve të LDK-së

.