Ilustrim

Inflacioni vazhdon të rritet, muaji shtator u mbyll me rreth 13%

Përkundër se Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në muajin shtator ishte me rënie për -0.2 për qind në krahasim me muajin paraprak, mirëpo të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se inflacioni në muajin shtator 2022 ishte rreth 13 për qind më i lart në raport me shtatorin e vitit të kaluar.

ASK tregon se Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej -0.2 për qind në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin paraprak.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (-13.0%); karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-5.9%); shërbimet për transport (-4.7%) “rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror”; pemët (-3.2%); energjia elektrike (-1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6 për qind) në IHÇK”-thuhet në komunikatë.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 9.2 për qind, mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 2.5 për qind, perime 2.0 për qind, mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1.5 për qind, bukë dhe drithëra 0.7 për qind, mish 0.6 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK.

Inflacion rreth 13 për qind në muajin shtator

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021 ishte 12.7 për qind.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 12.7 për qind në muajin shtator 2022, krahasuar me muajin shtator 2021.

Ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë pati te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet, etj. 60.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore 49.7 për qind, bukë dhe drithëra 33.5 për qind, qumësht, djathë dhe vezë 25.8 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal 24.7 për qind, gaz 23;9 për qind, mish 22.3 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira 21.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao 17.9 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore, salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. 16.7 për qind.

Mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 16.2 për qind, shërbime për transport 15.7 për qind, shërbime hoteliere 14.2 për qind, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit 13.3 për qind, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht 10.9 për qind, kujdes personal 8.3 për qind, gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare 7.3 për qind, mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje 6.7 për qind, pjesë këmbimi dhe pajisje shtesë për pajisjet e transportit personal 6.4 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet 6.2 për qind, pajisje shtëpiake 5.9 për qind, blerje e automjeteve 5.5 për qind, duhan 5.4 për qind, pije alkoolike 5.2 për qind, produkte farmaceutike 4.9 për qind, qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës 4.4 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 13.0 për qind në IHÇK.

ASK njoftoi se ku pati rënie të çmimeve.

“Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupi i COICOP-it: pemë (-6.8%); perime (-1.9%); energji elektrike (-1.4%), me një ndikim prej (-0.3 për qind) në IHÇK”-thuhet në njoftim.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator 2022.