Infermieri i Urgjencës pretendon se u godit fizikisht nga familjari i të sëmurit

Infermieri i Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, po pretendon së të dielën është sulmuar fizikisht nga një zyrtar i Aeroportit.

Sipas I. S., sulmi ndaj tij ka ndodhur pasi ai me ekipin e urgjencës kishte shkuar në shtëpinë e Bujar Gashit për ta trajtuar një familjare të këtij të fundit.

Ai thotë se e gjitha kishte filluar pasi ia kishte ndaluar Gashit që të incizojë ekipin mjekësor.

“Më 28 mars, kemi qenë kujdestar, rreth orën 18:10 minuta përafërsisht, ka marrë dispeçeri një thirrje prej një pale dhe na e ka dërgu neve. Ne kemi arrit me shku brenda katër minutave në vendin e ngjarjes. Kemi hyrë brenda, e kemi kontrollu ekipa pacienten, me ia mat parametrat, shtypjen, pulsin dhe pastaj me ia bë një ekage. Personi që ka qenë aty e ka nxjerr telefonin dhe ka fotografu dhe ka inçizu. I kam thënë e ki të ndaluar me fotografu e me inçizu ekipin mjekësor. Pa nja-pa dy, vetëm më ka kap përdore edhe ka fillu me më grushtu fytyrës, kokës, shpinës dhe ka nis me më ngulfat, duke falenderu ekipin, mezi e ka tërheq prej meje dhe e ka qit jashtë”, tha ai.

Infermieri thotë se të dy palët janë intervistuar edhe në Polici, por që thotë se i njëjti nuk është ndaluar fare.

Ai thotë se pas rastit, Gashi kishte kërkuar që të takohet me të përmes drejtorit të Urgjencës.

“Sipas bisedës së drejtorit, ata janë ardhë dhe i kanë thënë drejtorit “ a mujm më u taku me qat personin”. Ai njeri [Bujar Gashi] të nesërmen u shku në zyre, se punon në Aeroport. Ai ka shku me punu me kravatë ngjitur e unë me lëndime e me infuzione e me ekipe çdo ditë t`u nga nëpër mjekime. Nuk e di a është në rregull kjo prej qeverie, policie, gjyqësie që me u liru njeri para meje”, u shpreh ai.

Sulmin nuk e ka mohuar as Bujar Gashi, por që e quan të ekzagjeruar nga ana e infermierit.

“Nuk e mohoj qe nuk ka pas konflikt, po ka qenë i ekzagjeruar dhe trillim. Për ma tepër le të merret Policia”, u shpreh ai.

Kurse, Aeroporti i Prishtinës të mërkurën për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë ende një informacion nga Policia e Kosovës.

“Ne nuk kemi informacion nga Policia e Kosovës. Në rast se pranojmë informacion zyrtar nga Policia e Kosovës, atëherë ne do të veprojmë konform ligjit të punës dhe në bazë të kontratës punëdhënës-punëmarrës”, thotë zyrtarja për media, Valentina Gara.

Në anën tjetër, në Policinë e Kosovës rasti është hapur si lëndim trupor.

“Sa i përket pyetjeve tuaja ju njoftojmë se me datën 28.03.2021, është hap rast lëndim trupor në stacionin policor jugu në Prishtinë. Palët e përfshira në rast janë intervistuar dhe në koordinim me prokurorinë po ndermirën veprimet mëtejme hetimore”, ka thënë Policia e Kosovës.