Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKShPK thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar ndaj COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 për shkak të rrezikut të rritjes së numrit të rasteve me këtë virus.

IKShPK ka thënë se situata epidemiologjike në vend është ende jostabile ani pse ka rënie të numrit të rasteve të reja dhe numrit të vdekjeve.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, ka thënë instituti.

Tutje, IKShPK ka apeluar qytetarët që të vaksinohen, si mënyra më e mirë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Andaj, IKShPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.