Hykmete Bajrami zgjidhet nënkryetare e LDK-së

Hykmete Bajrami ka njoftuar se është zgjedhur nënkryetare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Bajrami ka thënë se këtë funksion e konsideron përgjegjësi për shkak se, sipas saj, në Lidhjen Demokratike të Kosovës këtë pozitë e kanë mbajtur njerëzit që kanë bërë histori.

Ajo ka përmendur Fehmi Aganin, Nekibe Kelmendi e Sabri Hamitin, qe dikur kanë mbajtur këtë pozitë.

“Do të punoj, sikurse deri më sot, edhe sot e tutje me nder e përgjegjësi për të mirën e përbashkët, për Republikën e Kosovës, për të sotmen dhe të ardhmen e gjithë qytetarëve të Republikës” – ka thënë Bajrami.

Ndërsa, ka thënë se “Rruga e Re” e LDK-së është rruga e qytetarëve të Kosovës.

“Është rruga që do ta ndalë degradimin, keqqeverisjen dhe kthen Kosovën drejt zhvillimit, drejt integrimeve, drejt miqësisë së përhershme me miqtë më të mirë të Kosovës siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së dhe bota demokratike”- ka thënë ajo.

LDK sot, me mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshmen, ka përmbyllur procesin zgjedhor të partisë për katër vitet e ardhshme.

Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Anton Quni kanë mbetur të pandryshuar, ndërsa janë shtuar si nënkryetare deputetet Hykmete Bajrami dhe Doarsa Kica-Xhelili,.

Bajrami është emëruar nënkryetare për Politika Zhvillimore.