Hulumtimi i KALLXO.com, nis hetimi për tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit

Prokuroria e Pejës ka hapur rast për hetime pas raportimit të KALLXO.com lidhur me kontratën që kishte nënshkruar Komuna e Pejës me biznesin e familjarëve të Ramiz Kelmendit, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikci.

“Ju njoftojmë se pas raportimit në media, me vetiniciativë kemi hapur rast dhe jemi në fazën fillestare të veprimeve hetimore” tha Nikci.

KALLXO.com ka zbuluar se për këtë tender të hapur në emër të pandemisë dhe ndihmës për familjet në nevojë është zhvilluar një konkurrencë e rreme nga Komuna e Pejës, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).

Ky tender nuk ishte i hapur, mirëpo ishte zhvilluar në bazë të procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës. Kështu, Zyra e Prokurimit në komunën e Pejës i ka ftuar vetëm këto tri biznese për të dhënë oferta në tenderi për furnizim me ushqim për familjet në nevojë.

Kjo komunë i ka ftuar për ofertë tri biznese që kanë ‘rastisur’ të jenë në pronësi të fëmijëve të ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Zyrtarë nga Komuna e Pejës kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni që tri kompanitë që janë përzgjedh për tenderin në fjalë kanë qenë të familjes së Ramiz Kelmendit.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se nuk ka qenë në dijeni që tri kompanitë e kontaktuara nga komuna kanë qenë në pronësi të familjes Kelmendi.

Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit