Komuna e Gazmend Muhaxherit kurdis tenderin për familjarët e Ramiz Kelmendit

Familja e Ramiz Kelmendit ia pa hajrin pandemisë. Një tender i Komunës së Pejës për furnizim me produkte ushqimore për familjet në nevojë çoi rreth 100 mijë euro në biznesin e familjarëve të Ramiz Kelmendit, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com ka zbuluar se për këtë tender të hapur në emër të pandemisë dhe ndihmës për familjet në nevojë është zhvilluar një konkurrencë e rreme nga Komuna e Pejës, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).

Ky tender nuk ishte i hapur, mirëpo ishte zhvilluar në bazë të procedurës së negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës. Kështu, Zyra e Prokurimit në komunën e Pejës i ka ftuar vetëm këto tri biznese për të dhënë oferta në tenderi për furnizim me ushqim për familjet në nevojë.

Kjo komunë i ka ftuar për ofertë tri biznese që kanë ‘rastisur’ të jenë në pronësi të fëmijëve të ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Kompanitë që kishin ofertuar për tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19” ishin: “Express Store”, “Elkos SH.P.K.” dhe “EGI GROUP”, të gjitha në pronësi të familjes së Ramiz Kelmendit. Ish-deputeti i LDK-së është vetë pronari në kompaninë “Elkos SH.P.K”. Kurse kompania tjetër “EGI Group” është në emër të Egzon Kelmendit, djalit të tij.

Kurse, pronarët e “Express Store” sipas ARBK-së janë fëmijët e Ramiz Kelmendit: Albulena Kelmendi, Albina Kelmendi, Blerina Kelmendi dhe Egzon Kelmendi.

Fituese e tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19” ishte kompania “Express Store”, e cila kishte ofertuar 99,742.50 euro.

Edhe dy kompanitë tjerë kanë ofertuar me çmime të përafërta. Kompania “Elkos Sh.P.K” kishte ofertuar vetëm 78 euro më shumë, apo 99 mijë e 820 euro. Kurse, kompania “Egi Group” kishte ofertuar 156 euro më shumë, apo 99 mijë e 898 euro për tenderin për “Furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet me nevojë me rastin e shfaqjes së pandemisë COVID -19”.

Drejtori i autorizuar i kompanisë “Express Store”, Ervin Muqkurtaj e ka konfirmuar për KALLXO.com se kompania që menaxhon është e fëmijëve të Ramiz Kelmendit.

Ai, po ashtu, e pranoi se kanë fituar një tender prej afër 100 mijë eurove nga Komuna e Pejës por tha se nuk ka qenë në dijeni për konkurrencën në oferta.

“Po, e kemi fituar tenderin. Po, janë fëmijët e Ramiz Kelmendit. Po ka pasur edhe kompani tjera, po nuk kam pas informata kush kanë qenë, kemi apliku online nuk kam pas qasje unë. Kontaktoni dikë të komunës ata munden me iu tregu”, tha Muqkurtaj përmes telefonit.

Xhemë Berisha, shef i zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni që tri kompanitë që janë përzgjedh për tenderin në fjalë kanë qenë të familjes së Ramiz Kelmendit.

Sipas Berishës, procedurat e negocimit janë të lejuara dhe kanë dashur që për shkak të konkurrencës t’i ftojnë tri kompani.

“Po, ka qenë kontratë me procedurë të negociuar. Unë nuk e kam ditë që kompania ka qenë në emër të Ramiz Kelmendit. Përgjegjës i asaj kompanisë(fituese), është tjetër kush menaxher. Ne u kemi kërkuar tri kompanie që të sjellin ofertat. Nuk e kam ditë që kanë qenë të tri kompanitë të së njëjtës familje. Edhe me ditë, nuk ka ndonjë telashe, nuk e kam ditë që kjo ka qenë e asaj familje”, tha Xhemë Berisha, menaxher i prokurimit në Komunën e Pejës.

Ai ka thënë se nuk ka qenë tender i destinuar për familjen Kelmendi, por tha se menaxhimi i kontratës ka shkuar mirë.

“Nuk ka tendera të kurdisur sepse çmimet që janë ofruar kanë qenë më të mirat. Ju nëse doni kosideroderojeni që ka qenë e kurdisur por nuk ka qenë ashtu”, ka thënë ai. Mirëpo kur është sfiduar me faktet që tri kompanitë janë të një familje ai ka thënë se “nashta qashtu po i bjen ajo punë, por nuk ka ndonjë keqpërdorim as asgjë.”

Ai thotë se me ligj kanë pas mundësi të kërkojnë ofertën vetëm nga një kompani.

“Këto procedurat e negocimit i ka lejuar KRPP-ja për me mujtë me shku për shkak të kësaj gjendje, ne kemi mujtë me shku vetëm me njërën kompani, po s’kemi dashtë ashtu”, vlerësoi Xhemë Berisha.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se nuk ka qenë në dijeni që tri kompanitë e kontaktuara nga komuna kanë qenë në pronësi të familjes Kelmendi.

“Paj me siguri atëherë është shku me tri oferta të kompanive që i kanë çmimet më të ulëta. Jo, nuk kam qenë në dijeni, ato punë i kryen drejtori i Prokurimit, duheni me vetë atë”, tha Muhaxheri për KALLXO.com duke shtuar se kontrata është lidhur me biznesin që ka ofertuar çmimet më të ulëta në treg.

Muhaxheri tha se nuk do të ndërmarr asnjë veprim ndaj kësaj ngjarjeje, sepse, sipas tij, ka fituar kompania me çmimin më të ulët.

“Jo valla, nuk e kam ndërmend me marr asnjë masë se sepse ka qenë çmimi më i ultë i mundshëm. Janë kompanitë më të mëdha që furnizojnë me ushqim dhe siç jam i informuar, janë çmimet më të ulta të mundshme për secilin produkt të ushqimit”, vlerësoi Gazmend Muhaxheri.

Nën-kryetari i LDK-së tha se nuk është takuar për këtë tender me Ramiz Kelmendin, një ish-bashkëpartiak në LDK.

“Jo, jo, (nuk kam biseduar me Ramiz Kelmendin), ato i bën drejtori i Prokurimit duheni me thirrë atë ai ua shpjegon sesi i ka zhvilluar procedurat”, tha në fund ai.

E ish-deputeti i LDK-së dhe biznesmeni nga Peja, Ramiz Kelmendi, ka thënë se nuk ka informata se kompanitë e tij dhe fëmijëve të tij kanë bërë ofertë për tenderin e Komunës së Pejës.

Ai tha po ashtu se nuk ka e takuar që një kohë kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxherin.

“Nuk e di, nuk e di që ka konkurru, nuk kam informata. E lexon atje, e kanë emrin e mbiemrin se nuk e di”, tha ai në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com. “Që nja pesë-gjatë muaj se kam taku (Gazmend Muhaxherin). Unë s’po e disha kënd e kanë përzgjedh, s’kam informacion.”

KALLXO.com ka kontaktuar edhe djalin e Ramiz Kelmendit, Egzon Kelmendin, i cili është aksionar në dy kompanitë që ofertuan në tenderin e Komunës së Pejës.

Ai nuk ka pranuar të jap shumë detaje rreth tenderit që e ka fituar “Express Store”, ku ai është pronar së bashku me motrat e tij dhe rreth kompanisë tjetër “Egi Group” ku po ashtu është i vetëm aksionar.

“Bisedo me menaxheret, ata e kanë për detyrë”, tha shkurt ai. Në të gjitha pyetjet e bëra, Egzon Kelmendi vazhdimisht e ka përseritur se është vetëm pronar dhe është dikush tjetër që i menaxhon kompanitë.

KALLXO.com raportoi për kontratën e fituar nga “Express Store” në prill të këtij viti.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!