Hoxha: Kryeministri po sjell diçka të re me sindikatat, shantazh dhe kërcënim direkt

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë se kërkesat e sindikatave janë po të njëjtat kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kishte përkrahur deri sa erdhi në pushtet, por që sipas saj, ai nuk po i pret më sindikalistët as për dialog, as për zotim e as për obligim.

“Në fakt ai me sindikatat po sjellë diçka të re e të paprecedentë në demokracinë tonë, që është shantazhi, kërcënimi direkt, antiligjor e antikushtetues ndaj tyre. Më duhet të them me keqardhje se është një pamje jo e mirë për demokracinë tonë”, tha deputetja Hoxha.

Ajo tutje shtoi se është e papranueshme që paaftësia e kësaj Qeverie për të ju dalë përballë qëndrimeve e zotimeve që vetë i ka dhënë në raport me sindikatat të konvertohet në gjah kundër tyre.

“Për mua është e habitshme se si mundet një ministër i kësaj Qeverie t’ju thotë specialistëve të mjekësisë ‘kujt nuk i rrihet në Kosovë derën qelë e ka’, është shumë skandaloze”, ka deklaruar Hoxha.

Deputetja e PDK-së u bëri thirrje kryeministrit dhe qeveritarëve që të diskutojnë dhe dialogojnë me sindikatat për të pasur më të qartë gjendjen dhe për t’u koordinuar bashkërisht me ta.