Hoti paralajmëron masa të reja për COVID-19

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka konfirmuar se sot do të mbahet një mbledhje e re e kabinetit qeveritar për të marrë masa të reja pas rritjes se rasteve me COVID-19 në vend.

Hoti në konferencë pas një vizite në spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha që vendimet do të jenë në përputhje me situatën.

“Në qeveri jemi duke shqyrtuar një listë të re të masave të propozuar nga IKSHPK, jemi në proces, tash nga kjo ngjarje do të kemi një konsultim të ri qeveritar, unë e kam thënë që do ti respektojmë rekomandimet që na vinë nga profesionistët në përputhje me situatën. Fjalën e fundit duhet ta japin gjithmonë profesionistët shëndetësorë”, tha ai.

Dje në Kosovë nga 404 mostra të marra, 276 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

IKSHP-ja ka bërë të ditur se kanë vdekur tetë persona të infektuar me coronavirus duke shkuar në 185 numri i vdekjeve në vend, të cilët kanë pasur edhe  sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4,027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,201.

Pas rritjes së këtyre rasteve, Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramdani në një intervistë mbrëmë në T7 ka thënë se institucioni që ai drejton ka rekomanduar masa të reja kundër COVID-19.

Disa nga masat e reja kundër coronavirusit janë:

 Do të kërkohet testi PCR ose vetizolimi 7 ditë nga persona që hyjnë në Kosovë

Të ndalohet grumbullimi i njerzëve më shumë se 5 persona në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme

Në sektorin e gastronomisë, tavolinat të jenë në distancë prej 2 metra

Të obligohen qytetarët që në çdo institucion të bartin maskat e tyre, si dhe në vendet e tyre të punës

Të përgjysmohet kapaciteti i autobusëve dhe të mos pranojnë udhëtarë të cilët nuk kanë maska

Të ndalohen aktivitetet rekreative kulturore në ambiente të mbyllra dhe të hapura ndërsa  fitneset, pishinat dhe sportet individuale do të zhvillohen në përputhje me Manualin për mbrojtje nga COVID-19.

Masat e reja kundër COVID-19 të propozuara nga IKSHP

Hoti: Situata po përkeqësohet, stafi shëndetësor i FSK-së do të integrohet në Ministri të Shëndetësisë