Hoti: Situata po përkeqësohet, stafi shëndetësor i FSK-së do të integrohet në Ministri të Shëndetësisë

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka vizituar spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për t’i parë kapacitetet e këtij spitale për trajtimin e rasteve me COVID-19.

“Më informuan në detaje për përgatitjet që do të bëhen me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së. Por në veçanti inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitet që FSK do ti vë në dispozicion të qendrës spitalore në rast se do të ketë nevojë që do ti përdorim edhe këto kapacitete”, tha Hoti në një konferencë për media.

Kryeministri Hoti bëri të ditur që stafi shëndetësorë i FSK-së do të integrohet në MSH.

“Jam i emocionuar më disiplinën ushtarake dhe me përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtës, një disiplinë e pashoqe që na bënë krenar. Do ti qëndrojmë afër FSK-së në ngritjen e kapaciteteve, do të punojmë me stafin shëndetësore të FSK-së që të integrohen në Ministrisë të Shëndetësisë dhe shërbimin spitalor për të përballuar situatën në të cilën kalojmë”, tha Hoti.

Kryeministri tutje tha se “situata tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara në javët dhe muajt e ardhshëm”

Dje në Kosovë nga 404 mostra të marra, 276 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

IKSHP-ja ka bërë të ditur se kanë vdekur tetë persona të infektuar me coronavirus duke shkuar në 185 numri i vdekjeve në vend, të cilët kanë pasur edhe  sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4,027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,201.