Hoti flet për rrjedhën politike nëse Thaçi jep dorëheqje pas aktakuzës së Speciales

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencën e sotme për media, i pyetur se nëse presidenti Hashim Thaçi jep dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale dhe cila do të jetë rrjedha politike dhe se a synojnë bashkëpunim politik me PDK-në për pozitën e presidentit, tha se në çfarëdo situate do të reagojnë me dinjitet.

“Unë vlerësoj se pas gjithë këtyre viteve kemi ndërtuar një kulturë institucionale dhe një maturi institucionale me cilado situata që përballemi do të reagojmë me dinjitet karshi zhvillimeve që do të ndodhin”, tha kryeministri.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për  zgejdhje të rjeja, Hoti tha se Kosova ka qeveri funksionale.

“Sa i përket zgjedhjeve, Kosova ka qeveri plotësisht funksionale dhe kushtetuese dhe për aq kohë është një qeveri që është funksionale që ka mbështetjen e shumicës së deputetëve në Kuvendin e Kosovës, duhet të vazhdojë”, tha Hoti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte do t’u drejtohet qytetarëve me një adresim pubik, pasi Prokuroria e Specializuar në Hagë ngriti akuza ndaj tij për krime kundër njerëzimit.

Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të publikuar më 24 qershor, thuhej se më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Pasi u akuzua për krime lufte, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka publikuar një fotografi me mbishkrimin se askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

Kurse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së gjykatës