Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Në reagimin e dytë të tij  pasi u akuzua për krime lufte, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ne rrjetin social Facebook, ka publikuar një foto me logo të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në foto është shkruar “Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës!.

Ndryshe ditë më parë zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Prokuroria e Specializuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit