Reagon Kadri Veseli: Akuzat janë të pabazuara

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar pas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për krime dhe pengim të punës së Gjykatës.

Lideri i PDK-së tha se në një veprim të paprecedent, prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.

“Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, tha Veseli në një konference për media pas një mbledhjeje të udhëheqjes së PDK-së.

“Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi”, tha Veseli.

Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:

Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Dhomave të Specializuara ka lëshuar sot një deklaratë për shtyp, ku njofton se ka ngritur pretendime për aktakuzë ndaj meje dhe Presidentit Thaçi.

Në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.

Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara.

Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Po ashtu, nuk ka kurrfarë baze për pretendimet për pengim të punës së gjykatës.

Dhe është shqetësim i thellë gjuha e tillë e adresimit me të pavërteta.

Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike.

Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi.

Asnjë prokuror, asnjëherë nuk do të duhej të lejonte që vendimet e tij të udhëhiqen nga motive politike.

Me këtë qasje, Prokurori ka paralajmëruar rrugën që ai pretendon ta ndjek për ta ushtruar të gjithë pushtetin e tij.

Ai po e paralajmëron popullin e Kosovës se ky proces nuk mund të jetë i besueshëm për të ndarë drejtësi të paanshme, dhe të pandikuar nga rrethanat politike.

Ai po përpiqet që përmes deklaratave kundërthënëse të mbulojë motivet e vërteta, që duket se janë politike.

Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që ky Prokuror dhe asnjë tjetër si ai, ta njollosë në këtë mënyrë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ne kemi qenë të detyruar që ta mbrojmë veten dhe vendin tonë. Dhe do ta bëjmë sërish.

Nëse na imponohet, edhe një herë do të demonstrojmë me fakte se UÇK ka zhvilluar një luftë të ndershme për liri, kundër një prej ushtrive më të fuqishme dhe më agresore në botë, të udhëhequr nga një bandë kriminale serbësh.

Luftëtarët e lirisë, që në vitet 1998 e 1999 morën armët në duar për të mbrojtur popullin, familjet, shtëpitë dhe nderin e tyre, ndaj përpjekjeve gjenocidale të Serbisë, meritojnë vetëm nderim e lartësim dhe jo fyerje në këtë mënyrë.

Jam krenar që kam qenë pjesë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe e mohoj plotësisht çdo përfshirje në ndonjë akt kriminal.

Luftëtarët trima të UÇK-së janë mbrojtës, heronj të luftës, që kanë luftuar kundër një agresori të egër serb, dhe nuk janë kriminelë lufte.

Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi tanimë ka trajtuar ngjarjet e luftës në Kosovë në pesë gjykime të ndara.

Në fund të këtyre gjykimeve, gjashtë udhëheqës të Serbisë janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, kundër popullatës civile shqiptare.

Ndërsa, të gjithë udhëheqësit e lartë të UÇK-së ishin shpallur të pafajshëm.

Kjo flet për të vërtetën se krimet në Kosovë janë kryer nga serbët dhe jo nga shqiptarët.

Deklarata e sotshme e Prokurorit është një përpjekje tjetër për të rishkruar historinë, duke e shtrembëruar të vërtetën për luftën tonë të shenjtë çlirimtare.

E kam për nder e privilegj qe ta mbroj Kosovën edhe një herë, nëse na imponohet.

E di se do ta kem edhe mbështetjen tuaj për ta mbrojtur luftën çlirimtare, lirinë tonë, UÇK-në dhe historinë e Kosovës kundër këtyre pretendimeve të njëanshme.

Ai që ka qenë luftëtar nuk mërzitet, sepse e di pse ka luftuar. Prej ditës së parë kam qenë në UÇK. Do t’i shërbej kombit tim deri në fund.

Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë. Ajo do të mbetet e tillë në zemrat dhe mendjet tona.

Historia e Kosovës një herë është shkruar. Askush, kurrë nuk mund ta ndryshojë atë.

Liria dhe pavarësia jonë nuk do të zhbëhen kurrë.

Kosova dhe populli i saj do të ekzistojnë përherë.

Faleminderit familjes sime. Faleminderit popullit tim!”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës, një aktakuzë në të cilën ka paraqitur dhjetë pika ku akuzohen Hashim Thaçi e Kadri Veseli dhe të tjerë për një sërë sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas njoftimit thuhet se kjo aktakuzë i është dërguar më 24 prill, në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Gjithashtu në njoftim thuhet se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Tutje në njoftim thuhet edhe se nxjerrja e këtij njoftimi publik për këtë aktakuzë është për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim të Dhomave të Specializuara.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.