Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu

Haxhiu: Moscaktimi i avokatit për të dyshuarin për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan është i paprecedent

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur “të paprecedent” moscaktimin e një avokati nga Oda e Avokatëve të Kosovës për të dyshuarin për vrasjen e Agonis Tetajt.

Sipas saj, është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë.

“I paprecedent injorimi i vendimeve të plotfuqishme të Gjykatës dhe vendimit të Qeverisë nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Moszbatimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale prandaj meqë edhe përkundër vendimit të Gjykatës, vendimit të Qeverisë, Oda nuk lejon caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së A.T, është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë paligjshmëri dhe dëm të shumëfishtë”, tha Haxhiu përmes një postimi në Facebook.

KALLXO.com raportoi më 16 shkurt se gjykatësja Violeta Husaj- Rugova tha se pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës refuzon caktimin e një avokati për Shaban Gogajn do ftojë të gjithë avokatët në Kosovë deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Moscaktimi i avokatit ka bllokuar gjykimin e Gogajt.

Bllokimi i këtij procesi ka ndodhur pas përjashtimit dhe dënimit më gjobë të avokatit Besnik Berisha.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje.

Më 28 qershor 2021, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.

Në mars 2021, KALLXO.com ka raportuar për fotografinë ku shiheshin prokurori Agron Uka e avokati Besnik Berisha, fotografi kjo e cila u publikua në KALLXO.com disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kishte marrë vendim që ta ndërrojë prokurorin e rastit, Agron Uka.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen  dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë.

Vrasja e Agonis Tetajt, gjykatësja: Do t’i thërrasim të gjithë avokatët në Kosovë deri sa të plotësohen kushtet ligjore

,