Pas publikimit të fotografisë nga KALLXO.com, ndërrohet prokurori në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka njoftuar se pas videos dhe reagimeve të djeshme e dyshimeve për mos trajtim të duhur të rastit të vrasjes së Agonis Tetaj nga ana e prokurorit Agron Uka,  ka vendosur që ta përjashtojë prokurorin Uka nga ndjekja penale e kësaj çështje dhe të njëjtën çështje të ia kalojë një prokurori tjetër.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ri caktoj atë te një prokuror tjetër”, thuhet në njoftimin e  zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në të njëjtën kohë Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar se do të kërkoj nga trupi gjykues që të mos e shpall aktgjykimin pasi që do të kërkojë që të bëhen hetime të mëtutjeshme për të marrë prova të tjera të nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Gjithashtu, do të kërkojmë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Kryeprokurori i Shtetit ka bërë me dije që të gjithë ata që janë sjellë në kundërshtim me ligjin dhe me përgjegjësitë dhe obligimet kundrejt pozitës, do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, thuhet në komunikatë.

Videoja e vrasjes së Agonis Tetjat në kompaninë “Gogaj AG” u bë dje publike nga prindi i të ndjerit pasi prokurori Agron Uka e lehtësoi veprën nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”. Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar kryeprokurorit të shtetit, mediave dhe ambasadave ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për vrasjen e Agonis Tetajt po akuzohet Shaban Gogaj. Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër dhe me të përfunduar bisedën, e ndërron karrigen dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”.

Aktakuza përshkruan se pas nxjerrjes së revoles Shaban Gogaj e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë dhe e qëllon duke e lënë të vrarë. Pasi kjo aktakuzë u ndryshua nga prokurori Agron Uka duke e cilësuar këtë vrasje si nga pakujdesia i akuzuari Gogaj e pranoi fajësinë.

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes së Agonis Tetajt, KALLXO.com ka pranuar një foto ku pretendohet se shihet avokati i familjes Gogaj dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Vrasja e Agonis Tetajt, prokurori Uka dhe avokati Berisha flasin për fotografinë ku shihen në kafe