Arkiv - Gjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Vrasja e Agonis Tetajt, gjykatësja: Do t’i thërrasim të gjithë avokatët në Kosovë deri sa të plotësohen kushtet ligjore

Gjykatësja Violeta Husaj- Rugova, tha se pasi që Oda e Avokatëve të Kosovës refuzon caktimin e  një avokat për Shaban Gogaj, ajo tha se gjykata do ftojë të gjithë avokatët në Kosovë deri në plotësimin e kushteve ligjore.

Këtë deklarim gjykatësja e bëri në seancën e sotme, ku Shaban Gogaj po akuzohet për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Në anën tjetër gjykata dënoi me 250 euro gjobë për të treten herë radhazi avokatin Gëzim Kollqaku, i cili është caktuar nga gjykata si mbrojtës i Gogajt.

Avokati u dënua nën arsyetimin se është duke zvarritur procesin gjyqësor.

“Gëzim Kollqaku i cili është ftuar me ftesë të rregullt, i njëjti ka paraqitur parashtesë që kërkon tërheqjen nga mbrojtja duke paraqitur arsyet për shkak të vendimeve të nxjerra nga Oda, po ashtu thotë se kam disa arsye personale me prindin e Shabanit, andaj i njëjti insiston që mos të jetë mbrojtës i tij”, tha kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj- Rugova.

Husaj- Rugova tha se tërheqja e avokatit i cili caktohet sipas detyrës zyrtare është pa efekt juridik deri në caktimin e një avokati tjetër.

Trupi gjykues njoftoi se kanë bërë përpjekje për caktimin e një avokati tjetër përmes Odës, por që të njëjtit kanë refuzuar këtë kërkesë.

Gjykata bëri me dije se për këtë do të njoftohet të gjitha institucionet e drejtësisë.

Po ashtu u bë më dije se është refuzuar kërkesa për përjashtimin e dy anëtarëve të trupit gjykues.

KALLXO.com ka raportuar me herët për këtë.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Vrasja në Deçan – Gruaja kërkon llogari nga kryetari pse e quajti aksidentale vrasjen e burrit të saj

Refuzohet kërkesa e Shaban Gogajt për përjashtim e dy anëtarëve të trupit gjykues