Haxhiu: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore - VIDEO
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjakë, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”- ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë qasje vetëm tre persona.
“Ky akt është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi”- ka thënë ministrja.
Haxhiu ka theksuar se menjëherë do të ndërmerren masa për këtë rast “Siguria në IML ende nuk është në nivelin e duhur, kemi dërguar edhe më herët raste në prokurori, tani kanë kaluar çdo kufi. Kushdo që ka guxuar ta bëjë këtë veprim mizor do të përballet me ligjin. Falënderoj u.d. kryeprokurorin për faktin se menjëherë ka marrë masa. I bëjë thirrje stafit ligjor të bashkëpunojnë me policinë për çdo informacion që kanë”, tha ajo.