Një logo e sugjeruar për organizatën fantazmë | Foto: Përpunim i simboleve të ndryshme me licensë të hapur përdorimi

‘Harausham’ Shpaloset Para Gjykatës së Apelit

Odiseada kosovare e një organizate terroriste, të quajtur “Harausham” nga prokuroria, për ekzistencën e së cilës ende nuk ka prova, do të vazhdojë në Gjykatën e Apelit këtë muaj.

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli u dënuan në janar të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet e 6 muaj burg secili, pasi akuzoheshin se kishin qenë pjesë e një grupi terrorist në Siri, të quajtur “Harausham”.

Livoreka dhe Behluli ishin arrestuar në shtator 2014, nën dyshimin se në periudhën nëntor 2013 – korrik 2014 i ishin bashkuar një grupi militant që kontrollohej nga organizata terroriste Al Nusra në Siri.

Behluli dhe Livoreka në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin e parë dhe ishin dënuar.

Afër 4 muaj pasi Livoreka dhe Behluli ishin dënuar, një hulumtim i BIRN, zbuloi që që “Harausham”, grupi për të cilin dy të dyshuarit supozohet se ishin anëtarë, mund të ekzistojë vetëm në aktakuzën e prokurorisë dhe në shkresat e kësaj lënde.

Organizata Terroriste Fantazmë Trazon Gjyqësorin Kosovar

Aktakuza e prokurorisë, të cilën BIRN e ka parë, i referohet organizatës “Harausham” si një grup luftues që është nën kontrollin e Al Nusra, ndërsa në vazhdim shkruan se të pandehurit vendosen të largohen nga kjo organizatë dhe u kthyen në Kosovë, pasi ISIS kërkoi të merrte komandën e tyre.

Megjithëse Livoreka dhe Behluli e pranuan fajësinë dhe u dënuan, “Harausham” nuk shfaqet në kërkimet e detajuara të listave zyrtare të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak.

Madje, një prej të dyshuarve, Nexhat Behluli, i tha BIRN se nuk e ka idenë se nga e gjeti prokuroria këtë organizatë, duke pretenduar se dëshmia e tij në polici ishte manipuluar dhe se ishte përballur në gjykatë me diçka krejt tjetër.

Pikërisht, ekzistenca e “Harausham”, dhe elemente të tjera të aktgjykimit të GJykatës Themelore të Prishtinës, do të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit e cila me 10 qershor ka caktuar mbajtjen e kësaj seanca para kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Hedije Ademi, avokate e Nexhat Behlulit thotë se në këtë shqyrtim, do të përdorë edhe hulumtimin e BIRN, që flet për mos-ekzistencën e këti grupi.

Lidhur me “Harausham”, BIRN i ishte drejtuar me pyetje edhe Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Speciale, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje që provonte ekzistencën e këtij grupi.

Pyetje lidhur me “Harausham”, kishte edhe ndaj kryeprokurorit, Aleksander Lumnezi të cilin pyetja për më tepër duke se e zuri në befasi.

“Këtij rasti s’kam çka me i thënë – u përgjigj Lumezi – me rëndësi është që gjykata paska pru aktgjykim dënues”.

Lumezi pranoi se ndoshta “ka qenë një gabim, por ai sigurisht që është përmirësuar gjatë shqyrtimit gjyqësor meqë kryetari i trupit gjyqësor ka marrë aktgjykim dënues”.

http://kallxo.com/organizata-terroriste-fantazme-huton-kryeprokurorin/

Megjithatë, BIRN ka vërtetuar se asnjë përmirësim nuk i është bërë rastit, duke qenë se në aktgjykim shkruhet se të dyshuarit janë gjetur fajtorë pikërisht për pjesëmarrjen në këtë organizatë.

Aktgjykimi nuk përmban prova të administruara për rastin por i referohet gjerësisht aktakuzës dhe pranimit të fajësisë nga dy të akuzuarit.

Ndërsa prokuroria ka vazhduar të këmbëngulë për ekzistencën e “Hrausham”, pavarësisht faktit se nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin qoftë edhe një provë të vetme që vërteton ekzistencën e këtij grupi.

Mbetet për t’u parë nëse prokuroria do të vazhdojë të këmbëngulë për ekzistencën e kësaj organizate edhe në gjykimin në apel dhe mbi të gjitha, nëse do të jetë në gjendje të paraqesë çfarëdo prove.