VIDEO: Si u fut në listën e përfituesve të projekteve Ministrisë, OJQ-ja e cila nuk mori pikë të mjaftueshme

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trajtua hulumtimi më shumë se 8 mujor për dosjen e shpenzimeve të pa-arsyeshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kjo ministri në vitin 2018 kishte ndarë gjithsej 19 projekte të cilat i kishte financuar me para publike për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit në Kosovë.

Nga gjithsej 19 OJQ që kanë qenë përfituese vetëm 4 kanë raportuar në ministri se si kanë shpenzuar paratë publike ndërsa të tjerat jo.

Gjithashtu Drejtësia në Kosovë ka zbuluar se një OJQ e cila në listën e përfituesve figuron se ka vetëm 42 pikë ka marrë projektin ani pse nuk ka përmbushur kriteret e pikëve nga Komisioni vlerësues.

Arber Krasniqi menaxher i projektit nga Ojq “Egnatia” i ka thënë ekipit tonë se ai ka marrë një thirrje nga ana e MKRS-së për këtë projekt ndërsa nuk ka qenë në dijeni se a ka përmbushur pikët e duhura kur ka aplikuar apo jo.

“Unë kam qenë i paguar si menaxher nga OJQ-ja. Unë nuk jam në ngjarje. Tash kur kanë dalë rezultatet më kanë thirrë në telefon më kanë thanë që jam përfitues i këtij projekti. Nuk e kam ditë çka ka ndodh e çka jo. E kam marrë thirrjen në telefon se kam qenë përfitues. Kemi shkuar e kam nënshkruar projektin krejt në rregull e kemi kryer projektin bile tash na kanë qit një telashe tjetër se i kanë humubur të gjitha dokumentet. Unë i kam raportuar të gjitha shpenzimet nuk e di çka dojnë me bë, i kanë përzier të gjitha”, rrëfen Krasniqi për DNK.

Tutje ai shton se para një muaji e kanë telefonuar nga ana e MKRS-së për të kërkuar sërish raportet e shpenzimeve.

“Nuk ka një muaj që na kanë thirrë në telefon dhe më kanë thënë që nuk e kam raportuar por ne e kemi mbyllur dhe shyqyr që i kam ruajt të gjitha faturat. Nuk na kanë dhënë asnjë sqarim sa i përket kësaj çështje, nuk e di çka ka ndodh me ta. Unë nuk e kam pa as një ueb faqe që kam marrë pikë ose jo. Më kanë thirrë më kanë thanë që e kemi përfituar raportin. Kam shkuar kam implementuar projektin e kam mbyllur e kam raportuar shpenzimet e çka kanë bërë unë nuk e di”, shton tutje Krasniqi.

Ekipi i DNK ka kërkuar sqarime edhe nga Labinot Berisha, Kryesues i Komisionit Vlerësues në atë kohë për këto projekte në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Unë tani po informohem për këtë OJQ-në Egnatia. Të paktën ish dasht ju me shkrim me na drejtu neve. Ndoshta ka mujt me qenë gabim teknik edhe pse nuk po këmbnguli se nuk ka qenë gabim teknik. Por të paktën nga ato 19 projekte kjo OJQ nuk është përfituese në atë listë të projekteve”, shtoi ai.

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u trajtua ndarja e parave publike për Organizatata Jo-Qeveritare në Kosovë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm te të rinjtë.

Gjithashtu gjatë emisionit gjithashtu u trajtua tema edhe se si një OJQ kishte arritur të futet në listën e pëfituesve të parave publike ani pse nuk i kishte marrë pikët e mjaftueshme të Komisionit Vlerësues.

Menaxherë të ndryshëm të projekteve rrëfyen se nuk punojnë më në atë çështje ndërsa, habiten kur dëgjojnë se ata nuk figurojnë në listën e Ministrisë së Kulturës se kanë mbyllur projektet dhe kanë treguar si janë shpenzuar paratë.