Logo; Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Ambasada amerikane falënderon Kosovën për mbështetjen për luftën kundër terrorizmit

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka përshëndetur vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të përkrahur sulmet e fundit mbrojtëse ndaj organizatës Kata’ib Hizbollah në Siri dhe Irak.

“Ne e lavdërojmë Kosovën për mbështetjen e vazhdueshme të saj në luftën kundër terrorizmit si anëtar i Koalicionit Global”, thuhet në reagimin e Ambasadës në Facebook.

Sot MPJ ka njoftuar se Kosova përkrah sulmet e fundit mbrojtëse të ndërmarra ndaj organizatës Kata’ib Hizbollah në Siri dhe Irak, duke i vlerësuar ato si të domosdoshme në çrrënjosjen e terrorit dhe në ndërtimin e paqes në botë.

Ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë ata që janë përgjegjës për dhunë dhe sulme terroriste ndaj civilëve dhe forcave paqësore, duhet të mbahen përgjegjës.

“Ne gjithmonë do të rreshtohemi në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë. Kosova është e palëkundur në luftën kundër terrorizmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, citohet të ketë thënë Pacolli.

Kosova mbështet sulmet amerikane në Siri dhe Irak

Tutje në komunikatën e për media të lëshuar nga MPJ, thuhet se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

“Republika e Kosovës është gjithashtu pjesë e Aleancës Globale Kundër ISIS, është një anëtare e besueshme e kësaj aleance dhe do të vazhdojnë të jetë e vendosura në përmbushjen e obligimeve të veta, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve të saj për luftë të pakompromis kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, thuhet në komunikatë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer “sulme precize të mbrojtjes” kundër pesë shënjestrave në Irak dhe Siri, që kontrollohen nga grupi paramilitar Kata’ib Hezbollh, që përkrahet nga shiitët iranianë.

Pentagoni ka thënë se tri lokacionet e sulmuara kanë qenë në Irak dhe dy të tjera në Siri, raporton REL.

Ky grup konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

Sulmet kanë nisur pas një sulmi me raketa në një bazë ushtarake në Kirkuk të premten, nga të cilat ka vdekur një kontraktor amerikan dhe janë plagosur pjesëtarë tjerë të personelit.

Ushtria irakiane dhe burimet e sigurisë kanë thënë se tri sulme ajrore amerikane kanë vrarë të paktën 18 luftëtarë dhe kanë plagosur më shumë se 50 të tjerë, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters një ditë më parë.