Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj tregon çfarë i tha Lajçakut dhe Escobarit

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se në takim me emisarin e SHBA-së Gabriel Escobar si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka ripërsëritur qëndrimin e tij se dialogu duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë dhe kufijtë ekzistues.

“Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Tutje Haradinaj ka thënë se ka falënderuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për angazhimin e tyre në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak dje kanë filluar vizitën e tyre dy ditore në Kosovë, ata kanë takuar presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa sot kanë takuar krerët e partive politike në vend.

Pas vizitës në Kosovë, Lajçak dhe Escobar pritet të vizitojnë edhe Serbinë.