Haradinaj: Beogradi të heqë dorë nga veprimet destabilizuese e luftënxitëse

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me situatën në veri.

Haradinaj ka thënë sulmet ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në veri janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

“Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë”- ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Serbia duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur.

“Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve”- ka thënë tutje ai.

“Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”- ka shkruar kreu i AAK-së në Facebook.

Prej ditësh, në veri të vendit është tensionuar situata. Së fundmi, disa barrikada janë vendosur në rrugët që çojnë në pikë-kalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë.

Dje pasdite grupe serbësh kanë bllokuar rrugët kryesore të zonës.

Bllokimi i rrugëve ka ndodhur pas njoftimit të Policisë së Kosovës se ka arrestuar Dejan Pantiqin, i dyshuar për organizim të veprave terroriste.

Dje Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar arsyet e arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit, Pantiq “sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policor”.

“Pantiç akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues” – ka shtuar ministri.

Ndërka, një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës.

Në një njoftim për media, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë dënoi sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale” – thuhet në njoftim.