EULEX sulmohet me shok-bombë në veri

Një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e kaluar në veri të Kosovës.

Në një njoftim për media, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë dënoi sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.

“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale” – thuhet në njoftim.

Prej ditësh, në veri të vendit është tensionuar situata. Së fundmi, disa barrikada janë vendosur në rrugët që çojnë në pikë-kalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinjë.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar” – vijon njoftimi i EULEX-it.

Ky mision ka kërkuar nga organet e hetuesisë që të zbardhen rastet e sulmeve në veri ndërsa ka kërkuar nga të gjithë që të përbehen nga veprimet.

“EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet. Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë” – thuhet në njoftim.

Ditë më parë, një patrullë e Policisë së Kosovës u sulmua me armë zjarri ndërsa një polic mbeti i lënduar.

Më 10 dhjetor pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullim pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimit me partitë politike ka vendosur të shtyjë për më 23 prill 2023 zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë dhe kuvendet komunale të 4 komunave të veriut.

Vendimin e kanë përshëndetur vendet e QUINT-it.