Hapja e arkivave, Çitaku ka disa pyetje për zëvendëskryeministrin Bislimi

Nënrkyetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka kërkuar sqarime nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i cili deklaroi sot se pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në.

“Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në? Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!!”, ka shkruar Çitaku në facebook.

Sipas saj hapja e arkivave mund të jetë një grackë e rrezikshme.

“Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, theksoi ajo.

Pas takimeve bilaterale dhe trilatrale në Bruksel, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi tha që pala serbe është dakorduar që të hapen të gjitha arkivat, duke përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në.

“Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton që edhe të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj që kjo fillimisht është në interes tonë për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1,600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat informata kanë kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha Bislimi.