Nikolla Gruevski - Foto: MIA

Gruevskit i Konfiskohet Pasaporta

Gjykata e Apelit e Maqedonisë ka vendosur se ish-kryeministri maqedonas Gruevski dhe ish-ministra të tjerë të qeverisë së tij që janë akuzuar për mashtrim të zgjedhjeve në vitin 2013 do të qëndrojnë të lirë, por do t’u konfiskohen pasaportat si masë parandaluese.

Gjykata e Apelit refuzoi një apel të ngritur nga Prokuroria Speciale, SJO, e cila pretendonte se të pandehurit mund të largohen nga vendi ose të ndikojnë te dëshmitarët në gjyqin e tyre.

Gjykata hodhi poshtë gjithashtu kërkesën e të pandehurve që t’u rikthehen pasaportat e tyre. Ajo pritet ta shpjegojë formalisht vendimin e saj më vonë të hënën.

Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë – ish-ministrja e brendshme Gordana Jankulovska, ish-ministri i transportit Mile Janakieski, ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kiril Bozinovski dhe ish-shefi i kabinetit Martin Protugjer – akuzohen për organizim të mashtrimit zgjedhor në një çështje të ngritur nga Prokuroria Special dhe të njohur me emrin e koduar “Titanik”.

Gruevski akuzohet për tri pika në këtë çështje: lidhje kriminale, keqpërdorim të pasurisë gjatë një fushate zgjedhore dhe shkelje të lirisë së votuesve.

Në seancën dëgjimore në Gjykatën e Apelit të premten, Gruevski, i cili e ka deklaruar veten të pafajshëm, këmbënguli se vendimi për të konfiskuar pasaportën e tij ishte degradues, duke shtuar se ai nuk planifikon të largohet nga vendi, por të qëndrojë në krye të partisë së tij dhe rimarrë përsëri pushtetin. Partia e tij VMRO DPMNE ishte në krye të pushtetit nga viti 2006 deri në maj të këtij viti.

Prokuroria Speciale ngriti disa aktakuza në qershor kundër ish-zyrtarëve të lartë, shumica e të cilëve ishin nga partia VMRO DPMNE dhe kërkoi ndalimin e tyre.

Pasi Gjykata Penale e Shkupit hodhi poshtë kërkesat për ndalimin e tyre, Prokuroria Speciale i apeloi vendimet para Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit të hënën duhet të rishikonte gjithashtu apelin e Prokurorisë Speciale në lidhje me ndalimin e propozuar të ish-ministres së kulturës Elizabeta Kanceska-Milevska.

Prokuroria Speciale e paditi atë në çështjen e koduar “Tenderat” për organizimin e një tenderi të paligjshëm prej një milion eurosh për të ndërtuar një pjesë të muzeut.

Milevska, e cila gjithashtu e mohoi fajin, tha në seancën dëgjimore në Gjykatën e Apelit të hënën se këmbëngulja Prokurorisë Speciale për arrestimin e saj e kishte habitur pasi ajo nuk po ndikonte te dëshmitarët dhe nuk ka ndërmend të largohet nga vendi.