Për herë të tretë në rigjykim rasti i vrasjes së rojës në lokalin “Bon Vivant”

Rasti i vrasjes së rojës në lokalin “Bon Vivant” për herë të tretë pritet të kthehet në rigjykim.

Rasti i vrasjes së rojës në lokalin “Bon Vivant” në vitin 2014, pritet që përsëri të gjykohet nga Gjykata e shkallë së parë pasi që Apeli ka prishur vendimin e Themelores me të cilin i kishte shapllur fajtor Sherif Krasniqin e Masar Gërdovcin për vrasjen e rojës së këtij lokali.

Procesi gjyqësor në rigjykim do të fillojë me 26 shtator të këtij viti.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gërdovci, avokati Naim Rudari.

Kujtojmë që Gjykata Themelore për herë të tretë kishte gjetur fajtorë të akuzuarit lidhur me rastin. Gjykata e kishte gjetur fajtor Masar Gërdovcin për veprën penale vrasje e rëndë në bashkë kryerje dhe të njëjtit gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vite, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në shumen prej 1500 euro.

Kurse Sherif Krasniqit për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje i ka shqiptuar dënim me kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje është refuzuar aktakuza meqë prokuroria është tërhequr nga kjo akuzë.

Lidhur me aktgjykimin dënues të Themelores ankesë kishin ushtruar të gjitha palët përfshirë këtu edhe familjarët e të dëmtuarit.

Prokuroria kishte kërkuar që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet kurse të pandehurve të iu shqiptohet vendim meritor.

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Masar Gërdovci me ankesë kishte kërkuar nga gjykata që vendimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe Gërdovci të lirohet nga akuza, ose të anulohet vendimi i shkallës së parë dhe çështja të kthehet për rivendosje.

Kurse Millaku, mbrojtësi i Sherif Krasniqit kishte kërkuar që të anulohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje, apo që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe i akuzuari Krasniqi të lirohet nga akuza.

Kolegji i Apelit në përbërje prej Beqir Kalludra – kryetar, Hashim Qollaku dhe Tonka Berishaj – anëtarë, në trajtimin e ankesave të palëve në procedurë me aktvendimin e datës 13 qershor të këtij viti, ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të Kodit të procedurës penale.

Apeli tutje kishte konsideruar se Themelorja është dashur të përkujdeset për përshkrimin faktik dhe juridik të diapozitivit të aktgjykimit, ashtu që i njëjti është dashur të jetë në përputhje me provat të cilat ishin nxjerrë në këtë proces gjyqësor.

“… sipas detyrës zyrtare ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase gjykata e shkallës së parë, është dashur që të përkujdeset që përshkrimi faktik dhe juridik i diapozitivit të aktgjykimit të jetë në përputhje me të gjitha provat të cilat janë nxjerrë gjatë të gjitha fazave të procedurës, dhe të njëjtit të vlerësohen, për të ardhur në një përfundim sa më të drejtë, përkitazi me cilësimin juridik të veprës penale”- thuhej  në vendimin e Apelit.

Tutje Apeli kishte gjetur se në vendimin e themelores të 13 Janarit të këtij viti, ishte shkelur parimi “Reformatio in peius”,  parim i cili thotë se nëse është bërë ankesa në dobi të të akuzuarit, aktgjykimi sa i përket cilësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal nuk mund të ndryshohet në dëm të të akuzuarit.

E sipas kësaj, Apeli ka gjetur se në vendimin e Themelores dy të akuzuarit janë shpallur fajtor për vrasje të rëndë, kurse të akuzuarit në gjykimet e më hershme kanë qenë të dënuar për veprën penale të vrasjes.

“Nga kjo po qesë i bëhet një vlerësim më i gjithë anshëm, rezulton se i njëjti përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara në nenin 384 të KPPK, sepse në cilësim juridik është bërë tejkalimi i aktakuzës, që nënkupton se është shkelur parimi “reformatio in peius”, nga neni 395 i KPPK, në të cilin shprehimisht thuhet: “në qoftese është paraqitur ankesë vetëm në dobi të akuzuarit, aktgjykimi sa i përket cilësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal nuk mund të ndryshohet në dëm të tij”, që rezulton që fillimisht të njëjtit kanë qenë të dënuar për vepër penale të vrasjes, kurse sipas aktgjykimit të fundit që të dy të akuzuarit, janë shpallur fajtor dhe janë dënuar për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë, që nënkupton se është bërë shkelja e këtij parimi, që është krocial dhe e karakterizon procedurën penale, për veprim të mëtutjeshëm”- thuhej në vendimin e Apelit.

Apeli tutje kishte theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte vërtetuar në masë të duhur të gjitha faktet të cilat e karakterizojnë secilën vepër penale.

Madje Apeli në vendimin e saj kishte theksuar se shkalla e parë nuk kishte dhënë arsye të plota për cdo pikë të aktgjykimit.

Vendimi i shkallës së parë ishte marrë në përbërje prej Avni Sylës – kryetar i trupit gjykues, Alltëne Murseli dhe Shpresa Hasaj Hyseni – anëtare.

Detaje të tjera lidhur me këtë rast mund ti ndiqni duke klikuar në këtë LINK