Ilustrim

Apeli se kishte informatën që të miturit ishin liruar të mbrohen në liri nga Supremja

Ekrem Rexhepi dhe tre të miturit G. R., Gj. J dhe Xh. S. që përbëjnë grupin e parë të të akuzuarve në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, u prit që të dalin sot para gjykatës së Apelit.

Të njëjtit akuzohen se në verën e vitit të kaluar kanë qenë të përfshirë në dhunimin e  vajzës 11-vjeçare. Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh. S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Gjykata Supreme kishte liruar në muajin maj nga paraburgimi tre të miturit me inicialet G. R., Xh. S. dhe G. J., të cilët ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës për dhunimin e 11-vjeçares me gjithsej 25 vjet burgim. Të njëjtit ishin liruar nga masa e paraburgimit vetëm deri sa të vendosej për vendimin e shkallës së parë nga instancat më të larta gjyqësore.

Por, seanca e paracaktuar për ditën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shtye për datën 05 korrik 2023.

Mbrojtësi i njërit nga të miturit G. R, av. Besnik Beqiri, deklaroi për Kallxo.com se Gjykata e Apelit nuk kishte marrë njoftim nga Gjykata Supreme që të njëjtit ishin liruar nga paraburgimi dhe ftesat për seancë kishin shkuar direkt në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe jo në adresat personale të të njëjtëve. Andaj asnjëri nga të miturit, nuk e kishte pranuar ftesën në mënyrë të rregullt për pjesëmarrje në seancë. Ndër të tjera, i njëjti shtoi se ‘’Gjykata e Apelit për mos me bo shkelje procedurale e ka shty seancën me 5 korrik’’.

Ndërsa zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, konfirmoi për Kallxo.com se ‘’ Gjykata Supreme e ka lëshu dje apo pardje vendimin për lirim e na nuk kemi e pasë vendimin’’.

‘’Është afati ligjor brenda 15 ditëve që i kemi palët me i njoftu’’, tutje deklaroi se ‘’Qendrës së paraburgimit i ka shku vendimi prej Gjykatës Supreme e jo prej Gjykatës së Apelit dhe qendra e paraburgimit ka deklaruar se këtë person nuk kemi mujtë me thirrë se e ka liru Gjykata Supreme’’.

Gjykata e shkallës së parë në shkurt të këtij viti kishte marrë vendim duke i shpallur fajtorë të akuzuarit dhe duke i shqiptuar dënim me gjithsej 40 vite burgim.

Ekrem Rexhepi është dënuar me 15 vjet burg, tre të miturit, G. R. me 9 vjet burg kurse G. J.  dhe Xh. S. me nga 8 vjet burg secili. Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Por me vendimin e shkallës së parë nuk janë pajtuar të gjitha palët në procedurë, të njëjtit kanë bërë ankesë kundër këtij vendimi.

Këtë e konfirmoi për Kallxo.com, edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar av.Alma Koljenoviq.

E njëjta, deklaroi se ankesa e palës së dëmtuar bazohet në konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 05 korrik 2023.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27 gusht 2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” të miturit G.J dhe Xh. S, e kanë takuar rastësisht të miturën dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e pastaj e kanë dhunuar seksualisht.

Sipas dosjes së organit ndjekës, kur e mitura ka bërtitur të pandehurit ia kanë mbyllur gojën e kur ajo është larguar në drejtim të shtëpisë së saj, të pandehurit e kanë tërhequr dhe kapur për dore pa dëshirën e saj duke e dërguar të miturën në një livadh të njohur me emrin ”Cigllana”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, vajzën 11-vjeçare e kanë shtrirë në tokë, ku i mituri me iniciale G.J e ka mbajtur në pjesën e sipërme të trupit gjersa Xh.S ka vazhduar ta dhunojë, e kur është larguar ai ka filluar i mituri G.R që të dhunojë të miturën, e gjatë kësaj kohe G.J ka qenë duke i’a mbajtur këmbët të miturës.

Prokuroria pretendon se këtë ngjarje të miturit G.R dhe Xh.S e kanë incizuar dhe i’a kanë dërguar një personi duke i akuzuar ata me veprën e keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi.

Nga këtu, sipas prokurorisë ngjarja ka vazhduar me njërin nga të miturit duke telefonuar të akuzuarin Ekrem Rexhepi, i cili kishte shkuar në vend ngjarje me veturën e tipit “Pickup” ku i ka marrë në veturë 3 të miturit bashkë me 11-vjeçaren, duke vazhduar rrugën drejt varrezave ku 2 të miturit kanë zbritur, e pas pak minutash më larg i akuzuari Ekrem Rexhepi edhe vetë e kishte dhunuar të miturën.

Ndërsa, këtë ngjarje prokuroria pretendon se e ka incizuar i mituri G.J i cili pastaj i’a ka dërguar një personi videon në rrjetet e tij sociale TikTok dhe Snapchat. Me këtë prokuroria e ngarkon me veprën keqpërdorim i fëmijëve në pornografi.

11-vjeçarja dyshohet se është dhunuar në qershor dhe në gusht, për këto dy raste janë arrestuar tashmë 11 persona, derisa shumica prej tyre janë në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast dhe artikujt i gjeni në këtë LINK.