Vrasja e rëndë në Prishtinë, 25 nëntor 2022 Foto: KALLXO.com

Gruaja e vrarë në kryeqytet ka qenë mësimdhënëse në shkollën 'Dardania'

Një vrasje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në rrugën “Mark Isaku” në kryeqytet. Burri 70 vjeçar dyshohet se vrau gruan e tij 63 vjeçe.

Viktima ka qenë mësimdhënëse në shkollën “Dardania” në kryeqytet.

Drejtoria e shkollës ka njoftuar për rastin, duke potencuar se viktima ka qenë mësimdhënëse e lëndës së gjeografisë.

“Me dhimbje të thellë sot më datë 25.11.2022 në orët e mëngjesit morëm lajmin e ndarjes nga jeta të koleges sonë znj. Sadije Miftari- Godeni, arsimtare e lëndës së Gjeografisë.  Ajo u shqua gjithmonë si person i qetë dhe i edukuar, dhe do ta kujtojmë me mall gjithmonë edhe për kontributin e saj shumëvjeçar meqë shkolla humbi një person shumë të dashur”- thuhet në njoftimin e shkollës.

Tutje, nga shkolla u bë e ditur se të gjitha aktivitetet e planifikuara sot në shkollë për nder të Festës së 28 Nëntorit do anulohen.

Prokuroria deklaroi se vrasja dyshohet të ketë ndodhur me sëpatë, derisa trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria: Burri dyshohet se vrau gruan me sëpatë