Greva e minatorëve - Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Greva në “Trepçë”, disa minatorëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore, njëri dërgohet në spital

Disa minatorëve të “Trepçës”, të cilët sot kanë nisur një grevë, u është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Njëri prej tyre madje është dërguar në spital.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi.

Januzi tha për KALLXO.com se para disa minutave njëri nga minatorët grevist është marrë nga autoambulanca për t’u dërguar në spital.

Edhe minatorë të tjerë që kanë pasur probleme me shtypje të lartë të gjakut apo me kokëdhimbje, siç thotë Januzi, kanë pranuar ndihmë mjekësore nga mjekët.

Rreth 100 minatorë të “Trepçës” kanë hyrë sot në grevë në horizontin e 10-të të minierës së Stantërgut.

Ekipi i KALLXO.com ka intervistuar minatorët grevistë.

Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, shkarkimin e kryeshefit, sigurimin shëndetësor dhe kushte më të mira të punës.

Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, ka thënë se 1.6 milion eurot e ndara nga Qeveria nuk i mbulojnë as shpenzimet elementare.

Po kjo (greva) ka ardhë si pakënaqësi për shkak të gjendjes në muajt e fundit dhe faktor kryesor e shohim menaxhmentin, mosmenaxhimi i mirë i ndërmarrjes ndër vite edhe tani ka pru që na për katër muaj rresht të çohemi të protestojmë, të grevojmë për realizimin e djersës sonë” – është shprehur Januzi.

Minatorët kanë paralajmëruar grevë urie, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.