Greva e minatorëve, menaxhmenti i "Trepçës" publikon foto të "sabotuesve" të punës

Menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça” ka publikuar disa foto, të marra nga kamerat e sigurisë, e të cilat, sipas tij, tregojnë për sabotimin dhe bojkotimin e punës nga minatorët, të cilët kanë hyrë në grevë që nga 24 tetori.

Në profilin e ndërmarrjes “Trepça” në Facebook janë publikuar disa foto të minatorëve duke hyrë e dalë nga ndërmarrja, e ndonjë prej tyre me racione ushqimi në duar.

Fotot, sipas përshkrimit, dëshmojnë sabotimin dhe bojkotimin e punës.

“Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit. Menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit” – thuhet në përshkrim.

Qindra minatorë dhe punëtorë të tjerë të “Trepçës” kanë nisur një grevë që nga 24 tetori.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë nga data: 06 – 10 në fillim të çdo muaji, shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.