Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Greva dhe ndërprerjet e rrymës, Komuna e Gjilanit ofron shërbime edhe për qytetarët e komunave të tjera

Tashmë kemi hyrë në javën e tretë qëkur kanë filluar reduktimet e energjisë elektrike, të cilat kanë afektuar edhe institucionet komunale. Por Komuna e Gjilanit ka bërë zgjidhje për këtë çështje, po ashtu edhe përkundër grevës, ata po ofrojnë shërbime edhe për qytetarët e komunave të tjera.

Përkundër faktit se Drejtoria e Administratës së Përgjithshme e Komunës së Gjilanit është e pajisur me gjeneratorë, gjatë një periudhe të shkurtër kohore, ata kanë thënë se u është pamundësuar ofrimi i shërbimeve për shkak të ndërlidhjes së rrjetit kompjuterik shtetëror me objekte të tjera të Komunës – të cilat nuk kanë qenë të furnizuara me energji elektrike.

Por, drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Gjilan, Doruntina Hasani, ka thënë se ata kanë kërkuar nga Telekomi i Kosovës që t’iu mundësojë kyçje të re përmes fibrit optik në objektin e Administratës.

“Tanimë kjo çasje është mundësuar dhe që nga fillimi i javës së kaluar ofrojmë shërbime pandërprerë edhe gjatë periudhës së reduktimeve të energjisë elektrike”, ka thënë drejtoresha Hasani.

Përpos kësaj, për shkak se disa Komuna të Republikës së Kosovës janë në grevë, Komuna e Gjilanit është duke ofruar shërbime edhe për qytetarët e komunave të tjera, të cilët janë të sistemuar në Programin e Gjendjes Civile dhe në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm.

“Të gjitha thëniet e mësipërme, i dokumentojmë përmes komunikimit elektronik dhe dokumentacionit zyrtar relevant. Si përfundim, mbesim të përkushtuar në ofrimin e shërbimeve profesionale të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka deklaruar Hasani.