Ilustrim

Greqi, rrëzohet aeroplani gjatë operacionit të fikjes së zjarreve

Një aeroplan që po hidhte ujë për të fikur një zjarr në Greqi është rrëzuar në një kodër dhe ka shpërthyer në flakë, raporton Reuters.

Ky aksident la të vdekur të dy pilotët, që sipas forcave ajrore të Greqisë ishin 34 dhe 27-vjeç.

Transmetuesi publik grek, ERT ka raportuar se trupi i një blegtori 41-vjeçar, i cili ishte zhdukur që nga e diela, u gjet i djegur në një kasolle në një zonë vështirë të arritshme në Evia.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi për ditë të vështira në vijim pasi flakët shkatërruan shtëpi dhe detyruan evakuimin e turistëve.

Sipas Reuters, qindra zjarrfikës, të ndihmuar nga forcat nga Turqia dhe Sllovakia, kanë luftuar me flakët që kanë shpërthyer në ishujt Rodos, Korfuz dhe Evias që nga e mërkura dhe janë rigjallëruar në kushte të nxehta dhe erërash, ndërsa aeroplanët e emergjencës po largojnë turistët.

Temperatuat e larta në Greqi pritet që të mërkurën të shkojnë deri në 44 gradë celsius në disa zona.

Rreth 20 mijë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë dhe hotelet në ishullin Rodos gjatë fundjavës.