Gjyqi ndaj Pjetër Shalës, dëshmitari i tetë ekspert për identifikimin e ADN-së

Në Hagë po zhvillohet gjykimi kundër Pjetër Shalës, ish-pjesëtarit të UÇK-së, i cili po akuzohet për krime lufte.

Në seancën e së premtes dëshmitari i tetë i Prokurorisë në gjykimin e  Shalës është dëshmitari Zbynek Dolejshi, ekspert për identifikimin e ADN-së nga Praga

Dolejshi ka rrëfyer se është edhe kolonel në forcat e Policisë së Çekisë.

Ky dëshmitar ka filluar të sqarojë aspekte të ndryshme në lidhje me raportet dhe ekspertizat e kryera.

Shala po e përcjell procesin përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit.

Krimet për të cilat Pjetër Shala akuzohet pretendohet se u kryen midis 17 majit dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që ishin të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Aktakuza pretendon se personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Viktimat ishin civilë që nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 dhe aktualisht mbahet në paraburgim. Më 19 prill 2021, ai paraqitet për herë të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të prokurorit të specializuar, përfaqësuesit të viktimave dhe të mbrojtjes.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë çështje mund t’i lexoni në këtë LINK.