Gjykimi për vrasjen me pagesë të Sabit Lushtakut, incident në të cilin u vra dikush tjetër

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj Driton Latifit, i akuzuar se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi.

Latifi akuzohet nga Prokuroria se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, kurse pagesa sipas Prokurorisë ishte kryer, ndërsa vrasja do ekzekutohej nga Lutfi Qosaj.

Ky i fundit akuzohet se në gusht të vitit 2010 kreu vrasjen e porositur, por kishte huqur cakun. Qosaj akuzohej se qëlloi për vdekje Nuredin Lushtakun e jo Sabit Lushtakun për të cilin sipas Prokurorisë ishin paguar 30 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me të parë se në oborr hyn një veturë e kuqe “Audi 80“, me një vozitës të gjinisë mashkullore, Lutfi Qosaj kishte shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjeherë kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë Driton Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale – shtytja për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

Gjatë seancës së sotme janë administruar provat lidhur me rastin kurse propozime për prova të reja ka pasur nga avokati Mahmut Halimi, i cili e mbron të akuzuarin Qosaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Faruk Korenica.

Mirëpo trupi gjykues me kryetar Radosllav Markoviq dhe anëtarë Ferki Gjaferi e Sinisha Mandushiq kanë refuzuar propozimin e Halimit që Gjykata t’i drejtohet shërbimit për pasaporta dhe letërnjoftime që t’i bashkëngjiten fotokopjet e lartcekura të të pandehurit nga shteti austriak, të cilat do të tregonin se i pandehuri kishte pasur statusin e qytetarit me qëndrim të përhershëm në Austri, sepse trupi gjykues ka vlerësuar se kjo nuk ishte relevante për procedurën.

Me propozim për prova të reja ishte edhe avokati Faruk Korenica, i cili i ka thënë Gjykatës se në konsultim me kolegun e tij, avokatin Mahmut Halimi, i ka propozuar Gjykatës që të ftohet një punëtor ekspert nga kompania Vala që të vërtetohej se me kënd kishte folur i ndjeri para rastit kritik.

Si i tillë ky propozim është refuzuar nga Gjykata, mirëpo pas aktvendimit të Gjykatës avokatët Korenica dhe Halimi kanë insistuar duke i sqaruar se nuk kërkonin ekspertizë të telefonit por se ishin të interesuar që nga Vala të kërkonin hyrjen dhe daljen e listingut të thirrjeve sipas numrit të telefonit të të ndjerit Lushtaku.

Ky propozim nuk është kundërshtuar nga prokurori Njazi Rexha, kurse trupi gjykues përmes aktvendimit ka aprovuar propozimin e Korenicës për t’iu drejtuar siç kanë thënë ata agjencionit telefonik Vala për listingun e hyrje dhe dalje-thirrjeve në emër të tani të ndjerit Nuredin Lushtaku.

Pas këtij aprovimi Gjykata ka ndërprerë seancën, duke caktuar seancën e radhës për në muajin prill.