Ilustrim

Rrëfimet për vrasjen me pagesë të Sabit Lushtakut në Prekaz

 

Driton Latifi, i akuzuar se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, është ballafaquar në gjykatë me dëshmitë e dëshmitarit Hashim Ahmeti.

Driton Latifi akuzohet nga Prokuroria se pagoi për ta vrarë Sabit Lushtakun nga Prekazi, kurse pagesa sipas Prokurorisë ishte kryer, ndërsa vrasja do ekzekutohej nga Lutfi Qosaj.

Ky i fundit në gusht të  2010-tës akuzohet se kreu vrasjen e porositur, por ia kishte huqur cakun.

Qosaj akuzohet se qëlloi për vdekje Nuredin Lushtakun e jo Sabit Lushtakun për të cilin sipas Prokurorisë ishin paguar 30 mijë euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës me të parë se në oborr hynë një veturë e kuqe “Audi 80“, me një vozitës mashkull, Lutfi Qosaj kishte shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjëherë kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këtë Driton Latifi akuzohet se ka kryer veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale – Vrasje e rëndë“, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në dëshminë e dhënë nga dëshmitari Ahmeti ka treguar se me Lutfi Qosen, i cili nga prokuroria njihet si ekzekutuesi i vrasjes se porositur, ishte njohur “në Budapest në burgun e transportit, ku i nxënë migrantët dhe i kthejnë në vendlindje, në Hungari e kam njohur për herën e parë”, ka thënë dëshmitari.

Tutje ai ka treguar se me Lutfi Qosen ishte takuar në Skenderaj në lokalin “Ma….“, e ku aty sipas dëshmitarit ai i kishte treguar, se ishte paguar për të vrarë Sabit Lushtakun nga ish-miqtë e tij.

Më pas dëshmitari Hashim Ahmeti ka treguar se me Sabit Lushtakun kishte qenë në gjeneratë edhe pse sipas tij kjo nuk iu kishte kujtuar.

“Aq sa më kujtohet jemi takuar në kafe “Ma…” në Skenderaj dhe pasi jemi ulur Lutfi Qosa me ka pyetur se a e njeh Sabit Lushtakun? Unë i kam thënë se Sabit Lushtaku nuk po me kujtohet edhe pse e kisha pasur në gjeneratë por nuk mu kujtojke, dhe e kam pyet se pse çka po të duhet. Me ka thënë se kam qërim hesapesh me të dhe jam i paguar me vra Sabit Lushtakun. Pas pak Luta nuk ka nejt ka ec a shku të shtëpia e vetë. Unë Sabitin nuk e kam takuar se nuk e kam njoft, e kam takuar Tahir Kodrën të cilin e kam pasur shok të klasës dhe e kam pyet i kam thënë se kush është Sabiti, ai pak a shumë më tregoi se kush është dhe unë ia dërgova numrin e tel përmes Tahirit, që Sabiti me u taku me mua. Në atë kohë Sabiti me ka marr në tel dhe jemi takuar”, tha dëshmitari Ahmeti.

Pas takimit që kishte pasur dëshmitari me Sabiti Lushtakun, këtë të fundit e kishte njoftuar se Lutfi Qosa ishte paguar nga ish-miqtë e Sabit Lushtakut që ta vriste këtë të fundit.

“ …i kam tregu se çka më ka thënë Lutfia se unë është i paguar me vra, se e kanë pagu ish-miqtë për me vra Sabitin, dhe Sabiti me ka thënë me këto fjalë “po tha ashtu është me m’nxon ata jo që kanë me më vra po kanë me më gri”, dhe unë kam kërku nga Sabiti që të shkon dhe t`i lajmëron në polici, Sabiti mu ndal me një fjalë më tha unë as nuk ni për polici as për kërkon s`ka kush çka më bon mu… Më vjen keq që s’kam mujt me ndalu këtë”, tha dëshmitari.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Njazi Rexha dëshmitari ka treguar para trupit gjykues se ishte takuar dy herë me Lutfi Qosen dhe se herën e dyte Qosa kishte pasur informacione lidhur me Sabit Lushtakun.

“Herën e parë nuk ka pasur info, herën e dytë kur jemi takuar ka pasur informacione, ka thënë se unë e di ku e ka shpinë, ku banon, në sa ora shkon në punë, në sa kthehet. Me sa me kujtohet nuk ka folur për shumë të parash vetëm e di se më ka thënë paratë vinë nga Austria “, tha dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari ka thënë në gjykatë se ia kishte kërkuar armën Lutfi Qoses për arsye sikur kishte dasmë, në mënyrë që sipas dëshmitarit ta ndalonte Qosen të kryente këtë vrasje, por se një gjë të tillë nuk e kishte arritur për çka ka shprehur keqardhje para gjykatës.

Duke treguar në fillim të dëshmisë së tij se kishte pasur një aksident dhe se qëndronte pranë të gjitha deklaratave të dhëna në polici e prokurori dëshmitari ka thënë se kishte probleme me shëndetin dhe mund të gabonte në dëshminë e tij, ndërsa gjatë ballafaqimit me deklaratat e mëparshme nga avokatët gjithnjë ka përsëritur se mbetej pranë këtyre deklaratave.

Trupi gjykues me kryetar Radoslav Markoviq dhe anëtarët Ferki Xhaferi e Tomislav Petroviq, ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar që të bëhet ekzaminimi i telefonit të të ndjerit.

Ndërsa sot në Gjykatën e Mitrovicës po vazhdon seanca e këtij gjykimi ndaj Driton Latifit, ku pritet që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Lutfi Qosa.