Gjykimi për vrasjen e të riut në Deçan, në Gjykatë prezantohen armët e gjetura në vendin e ngjarjes

Drejt fundit është duke shkuar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet djali i pronarit të kompanisë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj.

Sot para trupit gjykues u dëgjua eksperti i balistikës, Lutfi Rraci. Kjo ishte hera e dytë që u dëgjua Rraci.

Në seancën e kaluar gjykatësja Violeta Husaj Rugova ka marrë vendim që dy armët e gjetura në vendin e ngjarjes, njëra e zjarrit e tjetra me gaz, të sillen në Gjykatë për krahasim dhe shikim.

Në seancë u prezantuan dy armët që kanë qenë në vendin e ngjarjes kur u vra Agonis Tetaj.

Eksperti Rraci bëri me dije që njëra prej armëve është armë me gaz e tjera armë e zjarrit.

Ai pas vështrimit tha se kutitë ku janë vendosur armët nuk janë hapur nga dikush meqenëse përmbajnë shiritin që i është vendosur nga ai pas ekzaminimit.

Ekspertit iu ofrua fotografia e armës për krahasim me armën që ishte sjellë në Gjykatë dhe ai deklaroi se është arma e njëjtë vetëm se në foto e ka kafkën e hapur.

Rraci deklaroi  se pozita e armës më gaz në bazë të elementeve që shihen në fotografi ka dallime mes elementeve të armës tjetër.

Eksperti shtoi se një person laik për armë me siguri nuk mund t’i dallojë armët në shikim, ndryshe nga një ekspert siç është ai.

Nesër pritet që i akuzuari Gogaj të japë mbrojtjen.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.