Mungoi në gjykimin për fajde, Gjykata i shqipton 500 euro gjobë avokatit

Gjykata e Prizrenit i ka shqiptuar 500 euro gjobë avokatit Esat Gutaj për shkak se nuk ka respektuar ftesën e gjykatës për mbajtjen e seancës.

Të martën është mbajtur gjykimi për fajde kundër të pandehurve Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Arlinda Krasniqi dhe Kujtim Gjilani.

Gjykatësja Raima Elezi konstatoi se avokati Gutaj nuk ishte prezent në sallë, edhe pse kishte pranuar ftesën.

Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues vendosi që mosrespektimi i ftesës mund të jetë pengesë për mbajtjen e seancës, dhe dënoi avokatin me një  gjobë prej 500 eurosh.

“Pasi që kryetarja e trupit gjykues vlerëson se sjellja e avokatit dhe mosrespektimi i ftesës mund të jetë pengesë për mbajtjen e seancës, dënohet avokati Esat Gutaj me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, të cilin dënim obligohet të paguaj në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktvendimit”- tha gjykatësja Elezi.

Paraprakisht gjykata ka kontaktuar përmes telefonit me avokatin Gutaj ku i njëjti ka pohuar se gjendet në Prishtinë dhe se do të angazhojë avokat zëvendësues.

Gjykata bëri të ditur se Gutaj më datë 14 mars 2023 ka pranuar ftesën dhe ka pasur mjaftueshëm kohë të angazhojë një avokat zëvendësues.

Seanca më tej ka vijuar me deklarimet e mbrojtësve të të akuzuarve dhe të akuzuarve lidhur me kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Pas deklarimeve për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në sallë u paraqit avokatja Hana Canaj por e njëjta nuk kishte autorizim përfaqësues.

Për KALLXO.com, avokati Esat Gutaj ka thënë se do ta apeloj dënimin ndaj tij.

“Për momentin kam pas gjykim në Prishtinë, nuk kam pas ftesë. Gjatë rrugës më ka thirr gjykatësja dhë unë e kam dërguar një zëvendës. Pasi ta marr vendimin do të ankohemi dhe do ia bashkangjes procesin që kam qenë në Prishtinë. Nuk kam pas dijeni që kam seancë. Unë ftesë nuk kam marr duhet ta verifikojë nëse ndonjë bashkëpunëtor i imi e ka marr ftesën pasi unë personalisht ftesë nuk kam marr dhe do të ankohem”- ka thënë avokati Gutaj.