Përplasje mes gjyqtarit dhe sekretarit të Qendrës së LVV-së në Prishtinë
Sekretari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemi, sot është paraqitur në Gjykatën e Prishtinës në cilësinë e të akuzuarit për disa veprime të dhunshme, huligane që u bënë më 27 qershor 2013.
Ai dhe nëntë të tjerë po akuzohen për hedhje të gurëve, ngjyrës, sferave të qelqit, shisheve, mjete piroteknike në drejtim të Policisë së Kosovës.
Mirëpo, gjatë seancës pati një përplasje mes Azemit dhe gjyqtarit të rastit, Eroll Gashi.
Në fillim të seancës, Azemi njoftoi gjyqtarin se për disa kontrolle shëndetësore atij i duhet që të lirohet nga salla, mirëpo kjo kërkesë u refuzua.
Gjyqtari Gashi, pas pranimit dhe kontrollimit të dokumentacionit shëndetësor që e pranoi nga Azemi, tha se kërkesa nuk mund pranohet pasi në dokumentacion nuk ka pasur ndonjë datë të caktuar që sot duhet të kryhet ndonjë kontroll mjekësor.
Pas kësaj, Azemi filloi të ‘revoltohej’ duke iu afruar edhe te banka e gjyqtarit, e që kërkesë e vazhdueshme e këtij të fundit ishte që i akuzuari të ulej në vendin e tij.
“Gjykatës, unë ju kërkoj falje por është e pamundur me e vazhdu këtë proces. Nëse e trajtoni kështu një person që disa herë iu ka ardhë në këto seanca. Ju i keni të gjitha procesverbalet” – ka thënë Azemi gjatë kohës kur Gashi po kërkonte nga ai të zinte vendin e tij.
Mirëpo, kjo kërkesë e Gashit mori vetëm një përgjigje: “Nuk po ulem”.
Pas kësaj Azemi shtoi se kërkon që t’i marrë prapë dokumentet e tij, por që edhe kjo kërkesë prapë u refuzua nga gjyqtari.
“Këto kur t’i bëjmë kopje tani i merr” – ishte përgjigjja e Gashit.
Përpos Azemit, të akuzuar në këtë rast janë edhe nëntë persona të tjerë; Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Afrim Hoxha, Pajtim Demaj dhe Agron Kabashi.
Me veprimet e tyre ata dyshohet se i kanë dëmtuar uniformat dhe pajisjet e zyrtarëve policorë, e po ashtu edhe 4 automjete të Policisë.