Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari: Në Zllash nuk ka pasur kamp ndalimi

Në gjykimin e Salih Mustafës në Gjykatën Speciale, dëshmitari i mbrojtjes, Selatin Krasniqi, ka mohuar kategorikisht që në fshatin Zllash të ketë pasur ndonjë vend ndalimi.

Derisa po jepte dëshminë e tij, një debat disa minutash u zhvillua mes dëshmitarit Krasniqi dhe prokurorit Filippo De Minicis lidhur me objektin 4A, në të cilin sipas Prokurorisë, në kohë luftë janë ndaluar shqiptarët.

Salih Mustafa, i njohur me nofkën komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas Prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Prokurori i çështjes insistoi duke thënë se gjatë sesionit të parë Krasniqi kishte harruar të përmendte faktin e kësaj ndërtese për të cilën aktakuza i referohej si vendndalim i shqiptarëve në Zllash.

“Por, i keni dhënë shumë hollësi mbrojtjes, dhoma të vogla, kush ishte aty dhe këtë e keni harru, një ndërtesë të tillë. Unë po them e keni harruar sepse e dini shumë mirë që njerëz, shqiptarë të Kosovës, janë mbajtur në Zllash në 1999”, deklaroi prokurori Filippo De Minicis. “Historikisht kurrë nuk ka pasur vend për ndalime. Deri në vdekje nuk mundem me ta pranu që ka pasë në atë shpi njerëz të ndalum si po thotë prokurori”, tha Krasniqi.

Lidhur me këtë dëshmitari paraprakisht u shpreh se në skicën e përpiluar nga ana e mbrojtjes ishte bërë një gabim.

“Mes numrit 4 edhe 5 ka qenë edhe një objekt”, shtoi Krasniqi pasi iu shfaqën fotografitë në ekran.

Prokurori  i çështjes konsideroi se mospërmendja e kësaj ndërtese ishte bërë për ta ndihmuar Salih Mustafën.

“Më pas avokati ju pyet: Gjatë luftës në periudhën nga janari 1999 deri në fund të luftës kjo ndërtesë nuk përdorej? Sërish ju bëhet një pyetje e përgjithshme nëse përdorej apo jo kjo godinë. Dhe ju thoni se: Nuk përdorej fare se ishte ambient i pabanueshëm dhe njerëzit nuk mund të jetonin në të! A e mbani mend se e dhatë këtë informacion në mënyrë vullnetare?”, pyeti prokurori.

“E kam harru, nuk e kam bërë qëllimisht dhe nuk ka pasë asi tortura në atë shpi hiç”, theksoi Krasniqi.

E për këtë ndërtesë dëshmitari sqaroi se ka qenë e pabanueshme kurse deri në vitet e ‘90 ishte përdorur për të mbajtur pajisje bujqësore.

“Ky objekt sipas familjes deri në vitet ’90 ka qenë për mjete bujqësore, ata çka më kanë thënë dhe në vitet e ’90 pasi familja ka dalë në Prishtinë krejt, ka fillu të prishet, tjegullat e vjetra dhe ka hi uji brenda. Nuk ka marrë kërkush mbeturina me shti brenda aty, por u kon prej lloçit, prej shiut, prej borës. U kon e pabanueshme me ni fjalë dhe këtu banorë nuk ka pasë kurrë, as të familjes tonë e as tjerë”, tha Krasniqi.

Prokurori më tej pyeti se në godinën 4A askush nuk kishte qëndruar, por te godina numër 5 kanë ndenjur njerëz.

“Kur e kena rrënu këtë objekt komplet, ka pasë mjete bujqësore hala aty, ka pasë shumë mjete bujqësore, u kon lloç aty”, sqaroi dëshmitari Krasniqi.

“Në fakt ndërtesa 4A është përdor si burg”, iu drejtua prokurori dëshmitarit.

Por, këtë e kundërshtoi Krasniqi, i cili tha se nuk ka pasur burg aty.

“Nuk ka pasë kurrë burg këtu”, vazhdoi dëshmitari.

Prokurori Filippo De Minicis përsëri insistoi se dëshmitari ishte në dijeni se ka pasur njerëz të ndaluar, mirëpo sot këtë ndërtesë nuk e ka përmendur.

“E pse tani e përfshiva?”, iu drejtua dëshmitari Krasniqi duke shtuar se kishte harruar disa detaje të vogla e pastaj i kanë vënë prapë.

“Por, kjo e vogël është ndërtesa 4A?”, pyeti prokurori.

“Nuk ke përjetu çka kam përjetu unë, se e kishe harruar edhe emrin tënd. Çka kena përjetu unë, familja, krejt Zllashi, Kosova, çuditna që e maj men emrin tem. Me tu vra njerëz të mirë, anëtarë të familjes, është shumë vështirë. Gruan e axhës 45-vjeç ma kanë plagos, ka vdekë në Francë, më kanë vdekur shumë shokë…”, tha dëshmitari.

Në vijim të dëshmisë së tij dëshmitari pohoi se ka qenë anëtar i njësitit BIA të UÇK-së. Sipas tij, në shtëpinë e xhaxhait të tij ushtarët e BIA-s kanë qëndruar rreth dy-tri ditë dhe më pas kanë vazhduar në lokacione tjera.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.