Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të radhës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të mërkurën do të mbahet seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen me krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Seanca gjyqësore pritet të fillojë në orën 09:00 por do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Gjykimi do të vijojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.

Deri më tani tre dëshmitarë kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca tërësisht të mbyllura për publikun, kjo me qëllim të mos zbulimit të identitetit të tyre.

Sipas kalendarit në faqen e Dhomave të Specializuara për muajin maj janë caktuar të mbahen dhjetë seanca.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë filloi më 3 prill 2023.

Ndërkaq ditë më parë gjykata ka njoftuar se Paneli i Apelit ka refuzuar kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Prokuroria në aktakuzë pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm  lidhur me pretendimet e Prokurorisë Speciale.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje ku mund t’i gjeni në këtë LINK.