Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Remzi Shalës për krime lufte, dëshmitari: Kam dëgjuar që Haxhi Përteshi është vrarë nga serbët

Dëshmitari Muhamet Bilalli, i cili po dëshmon në gjykimin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se i ndjeri Haxhi Përteshi mund të ishte vrarë nga serbët.

Prokuroria Speciale pretendon se Remzi Shala në qershor të viti 1998, bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Sipas Prokurorisë, disa ditë më pas, Përteshi ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Dëshmitari Bilalli përpara trupit gjykues deklaroi se pas lufte kishte dëgjuar që Haxhi Përteshi ishte vrarë nga serbët.

“Në një ndeje atë natë, kam dëgjuar për emrin e Haxhi Përteshit, kjo ka qenë pas lufte ku kanë qenë të pranishëm edhe 10-12 veta. Hera e parë që kam dëgjuar për Haxhi Përteshin dhe biseda ka qenë edhe për disa persona të tjerë që janë vra nga sh. (serbët). Në mes tyre ka qenë Haxhi Përteshi dhe Sherif Qatani”, deklaroi dëshmitari Bilalli.

Asdren Hoxha, përfaqësues i palës së dëmtuar e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë në vitin 2018, ku Bilalli kishte cituar se “…kam dëgjuar se është vrarë, në atë mënyrë apo në atë mënyrë, në fakt e kanë vra sh. (serbët) apo shqiptarët”.

Mirëpo ky fakt, për dëshmitarin nuk qëndronte. Bilalli mohoi të kishte dhënë një deklarim të tillë.

“Deri kur kam ardhur në gjykatë, kam dëgjuar që Haxhi Përteshi është vra nga sh. (serbët) dhe tjetër nuk di gjë. Haxhi Përteshin e kanë vra shqiptarët kurrë s’kam thënë dhe kurrë s’kam dëgjuar”, deklaroi dëshmitari.

Derisa po dëgjohej dëshmitari, një debat disaminutësh u zhvilluar mes avokatit Asdren Hoxha dhe Blerim Mazreku.

Kurse, i dëmtuari Zenel Përteshi (djali i viktimës), kërkoi nga Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit që të mos i përmendej emri i babait të tij për të cilin po zhvillohej procesi gjyqësor.

“Kërkoj nga trupi gjykues që t’i tërhiqet vërejtja avokatit Blerim Mazreku që të mos e përmend emrin e babait tim kurrë, mundet të vazhdojë me punën e vet por jo dhe të përmend emrin e tij”, deklaroi i dëmtuari Përteshi.

Reagime pati edhe nga ana e të akuzuarit Remzi Shala, ku sipas avokatit  Asdren Hoxha, Shala kishte ndërhyrë duke thënë se “ka m’e përmend, jam i pafajshëm dhe shpijunat vrahen në luftë”.

Ndërkaq, i akuzuari i kundërshtoi këto fjalë duke thënë se  nuk kishte deklaruar në këtë mënyrë.

“… Po më vjen keq që po më maltretoni kështu…kam me tregu gjatë deklarimit tim… mixha vet e ka vra vëllavin… nuk e kam thënë fjalën. Kurrgjë borxh nuk iu kam pasë…  Po më vjen keq…”, ishin disa nga fjalët e Remzi Shalës.

Në anën tjetër, pretendimi i të dëmtuarit Zenel Përteshi sipas avokatit Blerim Mazreku nënkuptonte kërcënim.

“Sot në Pallatin e Drejtësisë kërcënohem të mos e përmend emrin e prindit të tij, ndërsa për hirë të korrektësisë emrin e viktimës do ta përmend sa herë e konsideroj të nevojshme dhe e kërkon procedura”, përfundoi avokati Mazreku.

Më shumë se 4 orë ka zgjatur seanca ndaj Remzi Shalës ku gjatë ditës së hënë janë dëgjuar dy dëshmitarë, kurse e gjithë seanca ishte duke u audio-incizuar.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.