Gjykimet në Kosovë do të incizohen me kamerë

Në mbledhjen e 267-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës u diskutua çështja e audio-video incizimit të seancave gjyqësore nëpër gjykatat tona.

Përmes një projekti i cili do të financohet nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatim të Ligjit (INL), KGjK-së do t’i ofrohet mbështetje financiare për realizimin e projektit të audio dhe video incizimit të seancave gjyqësore.

Ky projekt i propozuar nga INL, u mirëprit nga të gjitha anëtaret e KGjK-së, të cilët njëzëri votuan pro realizimit të këtij projekti.

Kryesuesi i KGjK-së, Alber Zogaj deklaroi se audio dhe video incizimi i gjykimeve do të ndikojnë drejtpërdrejtë në besueshmërinë e publikut në gjyqësor, me ç ‘rast synohet të rritet transparenca dhe efikasiteti i gjyqësorit.

Anëtari i KGjK-së, Avni Mehmeti deklaroi se KGjK duhet të jap garanci që ky projekt të zbatohet në tërësi, duke theksuar këtu detyrimin e gjyqtarëve që ta aplikojnë këtë sistem pa asnjë pengesë e as vështirësi apo dyshim.

Lidhur me këtë çështje anëtarët e KGjK-së votuan pro realizimit të këtij projekti, me çka u zotuan që do të përmbushin në tërësi këtë projekt.