Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Gjykata mban seancë për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin për plagosjen e policit në veri vitin e kaluar

Gjykata e Prishtinës do të mbajë sot seancë rreth kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit për M.A., i cili dyshohet se ka plagosur kapitenin e Njësive Speciale, Besart Ahmeti, më 13 tetor të vitit 2021, në veri.

I dyshuari M.A. është arrestuar dje.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari.

Kjo plagosje kishte ndodhur gjatë protestave të qytetarëve serbë në veri të Mitrovicës, kundër një aksioni të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Policia e Kosovës, më saktësisht njësitë speciale, në atë kohë kishin ndërhyrë edhe me autoblinda në mënyrë që ta ndante turmën e njerëzve.

Në këto protesta të dhunshme ka pasur edhe të lënduar të tjerë nga radhët e Policisë edhe të protestuesve si dhe sulme ndaj gazetarëve.

Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.