Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese e shpall antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur për aktgjykimin në rastin 173/22, të parashtruesit Arben Gashi dhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm, me shtatë vota për, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg dhe të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme.

“Gjykata ka vendosur (i) njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iv) të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg; dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme”- thuhet në njoftim.

Gjykata ka vendosur të shpallë kërkesën e pranueshme për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri Parimet e Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi sqaron se ligji i kontestuar rregullon caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik, në mënyrë që të eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.

Gjykata gjithashtu konstatoi që neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me parimin e sigurisë juridike dhe sundimit të ligjit, të garantuara përmes paragrafit 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafit 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.

Në aktgjykim ceket se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar.