Abi Çarshia - Rrënimi i objektit - Korrik 2019

Gjykata i kthen mbrapsht prokurorisë për rastin “Abi Çarshia”

“Aktakuza është konfuze, dhe si e tillë nuk lejon mundësinë e një procedure të drejtë pa zvarritje e pengesa të këtij procesi, sa kompleks, aq edhe të ndjeshëm”.

Me këtë përshkrim Gjyqtarja Kymete Kicaj i ka kthyer Prokurorisë së Prizrenit aktakuzën për “ përmisim dhe qartësim”, në rastin e njohur si “ Abi Çarshia”.

Kryeinspektori i Prizrenit, Islam Thaqi dhe pesë zyrtarë të tjerë të Komunës, po përballen me akuzat e Prokurorisë, që ndërlidhen me rrënimin e aneks-objektit të ndërtuar pa leje në kompleksin “Abi Çarshia”.

Në seancën e datës 24 shkurt, mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar nga gjyqtarja e rastit që aktakuzën e Prokurorisë ta hedhë poshtë si të paligjshme.

Pas kësaj seance gjyqtarja e rastit Kymete Kicaj me një shkresë i ka kthyer Prokurorit Mehdi Sefa aktakuzën, në mënyrë që duke shfrytëzuar provat e grumbulluara gjatë hetimit apo edhe duke e plotësuar hetimin me marrjen e provave të reja të përmisohet dhe të qartësohet përshkrimi i veprës penale.

Gjyqtarja ka kërkuar nga Prokurori Sefa që të individualizojë veprimet e secilit të akuzuar në drejtim të veprës penale që pretendohet se është kryer.

Aktakuza sipas saj duhet të qartësohet lidhur me mënyrën e kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen zyrtarët bashkë me drejtorin Islam Thaçi, duke qartësuar nëse vepra penale është kryer me veprim apo me mosveprim.

Prokurori Mehdi Sefa në aktakuzë ka përfshirë të gjithë pesë zyrtarët së bashku me drejtorin e Inspektorateve Islam Thaçi në një pikë të aktakuzës duke i përfshirë si të bashkë akuzuar.

Në aktakuzën e saj, Prokuroria të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj i ka cilësuar si zyrtarë – teknikë në Drejtorinë e Inspektorateve, mirëpo që të dy para Gjykatës thanë se janë të papunë.

Edhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi, për të cilin në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se është përfaqësues ligjor i Komunës, në Gjykatë kishte thënë se është i papunë.

Prokuroria pretendon se që të gjithë të akuzuarit kanë ditur se i dëmtuari Irfan Fusha ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, prandaj “të akuzuarit duke mos i përfillur vendimet  e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi me ç‘rast gjatë rrënimit ABI SH.P.K në Prizren i kanë shkaktuar dëm material”.

Mirëpo kjo për gjykatën është e paqartë, sepse për ekzistimin e kësaj forme të keqpërdorimit është e domosdoshme të përcaktohen kufijtë e autorizimeve që kanë pasur secili person zyrat i përfshirë në këtë aktakuzë.

Aktakuza e përmirësuar dhe e qartësuar duhet i kthehet gjykatës në afat prej 30 ditësh.

Përfaqësuesit të akuzës i është tërhequr vërejtja për mosveprim, ashtu që nëse nuk veprohet brenda afatit të caktuar gjykata do e hedh poshtë aktakuzën (përveç nëse kërkohet afat shtesë me arsyetim).

Prokuroria në aktakuzë si të dëmtuar në këtë proces e ka cilësuar pronarin e “Abi Çarshia”, Irfan Fushën, ish-kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren me datën 19 korrik 2019 ka rrënuar aneksin e objektit pa leje të qendrës tregtare “Abi Çarshia“.

Gjashtë ditë më vonë, Prokuroria e Prizrenit kishte filluar hetimin ndaj zyrtarëve të Komunës, ndërsa po të njëjtën ditë Gjykata në Prizren kishte vendosur masë të përkohshme ndaj rrënimit të objektit pa leje, duke i obliguar palët të mos ndërmarrin asnjë veprim tjetër.

KALLXO.com në korrik të vitit 2019 pati publikuar hulumtimin për zhvillimet rreth qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke filluar nga privatizimi i tokës në vitin 2011, deri te marrja e lejes për ndërtim në vitin 2017, dhe rrënimi i aneks-objektit pa leje me 19 korrik 2019.

Komuna e pafuqishme karshi objektit pa leje te ‘Abi Çarshia’ – VIDEO